Ministry of Defence - Republic of Albania

11/18/2024 | Press release | Distributed by Public on 11/19/2024 03:39

Projektbuxheti 2025, Ministri Vengu në Kuvend: Garanton rritje pagash dhe vijimin e modernizimit të FA

Projektbuxheti 2025, Ministri Vengu në Kuvend: Garanton rritje pagash dhe vijimin e modernizimit të FA


e hënë, 18 nëntor 2024 22:36

Ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu e cilësoi projektbuxhetin për vitin 2025, një buxhet historik që shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë kombëtare.

gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare dedikuar projektbuxhetit të vitit 2025, Ministri Vengu tha se për vitin 2025, buxheti i sektorit të Mbrojtjes parashikon një total prej 52,7 miliard lekësh, që përbën një rritje prej 4,6% krahasuar me vitin 2024.

Teksa kërkoi mbështetjen për miratimin e këtij projektbuxheti, ministri i Mbrojtjes u shpreh se, shpenzimet e Mbrojtjes rriten nga 215$ për frymë, në 219$ për frymë në vitin 2025.
"Për vitin e dytë radhazi, Buxheti i Mbrojtjes mbetet mbi kufirin 2% të PBB, ndërkohë që mbi 20% e totalit të shpenzimeve i dedikohen investimeve në pajisje kritike dhe modernizim", - u shpreh ministri Vengu. Sipas tij, për vitin që vjen totali i shpenzimeve kapitale vjen në rritje: "Kemi një vlerë prej 28,2 miliard lekësh, ku shpenzimet kapitale me financim të huaj janë në masën 12,2 miliard lekësh", - tha ministri i Mbrojtjes.

"Hapësira fiskale, - shtoi ministri i Mbrojtjes, - na lejon që të konsiderojmë nga viti 2025 edhe mundësinë e kredisë së huaj nga vendet partnere dhe përkatësisht nga partneri ynë strategjik për të financuar projektet e modernizimit të forcave të armatosura".

Një nga prioritetet kryesore të këtij buxheti është rritja e pagave për personelin ushtarak: "Është parashikuar një rritje domethënëse mbi pagë, nga e cila përfitojnë rreth 6 mijë ushtarakë, ku rishtas përfitojnë rreth 2500 prej tyre. Rritja e vijueshme e pagave e çon në fakt në 71% rritjen që nga viti 2021. Pra përpjekja e madhe buxhetore që i kërkojmë taksapaguesit shqiptar i dedikohet pikë së pari trajtimit dinjitoz të personelit ushtarak. Ky është vetëm një ilustrim sesi rritja ekonomike e vendit rishpërndahet në familjet shqiptare", - theksoi ministri Vengu.

Ky është një hap domethënës drejt arritjes së objektivit të qeverisë shqiptare për një trupë ushtarake të mirëpajisur, të mirëpaguar dhe të mirëstërvitur, nënvizoi më tej, ministri i Mbrojtjes. Nga ana tjetër, sqaroi ministri në fjalën e tij, projektbuxheti siguron rreth 1 miliard lek, për strukturën rezerviste përgjatë vitit 2025, si një komponent i rëndësishëm, për t'iu përgjigjur në kohë nevojave dhe ndryshimeve të sigurisë rajonale dhe më gjerë. Synimi është që deri në vitin 2030 ky komponent të përbëjë rreth 1/5 e Forcave të Armatosura ose në shifra 2100 forca.

Modernizimi dhe rritja e gatishmërisë operacionale, zë vendin më të madh të burimeve financiare me një peshë specifike prej 54,8% e Buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2025. Ky buxhet siguron vijimësinë e 21 projekteve të modernizmit, që janë në zbatim e sipër dhe fillimin e 8 projekteve të reja në sisteme mbrojtëse për rritjen e reagimit të shpejtë të Forcave të Armatosura.
Një vëmendje kryesore në këtë projektbuxhet është edhe pjesa e emergjencave civile që në këtë buxhet, sipas ministrit Vengu janë në vlerën 5,5 miliard lekë, duke njohur rritjen më të konsiderueshme të viteve të fundit.

Ringritja e Industrisë Ushtarake në vendin tonë, një proces tashmë i nisur, i cili do të kthejë aftësitë zhvilluese dhe prodhuese, të municioneve, lëndëve plasëse dhe armatimit të lehtë, mbështetur në teknologjinë më të avancuar për prodhimin e tyre, për ta kthyer këtë industri në nivele konkurruese edhe për tregjet ndërkombëtare, është një tjetër pikë e këtij buxheti. Sipas Ministrit Vengu, rivitalizimi i Industrisë Ushtarake, do të sjellë gjenerimin e të ardhurave brenda vitit 2025.