Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

04/01/2026 | Press release | Distributed by Public on 04/01/2026 08:09

17-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO- Ministri Hoxha: Shqipëria, Aleate e përkushtuar dhe e besueshme

Në përvjetorin e 17-të të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përmes një postimi në platformën X, theksoi rëndësinë historike të këtij momenti për vendin tonë dhe rolin e Shqipërisë në Aleancë.

"Si sot, 17 vjet më parë, Shqipëria hodhi një hap vendimtar drejt së ardhmes së saj duke u bërë anëtare me të drejta të plota në NATO - një moment historik që e ankoroi vendosmërisht rrugëtimin tonë euro-atlantik dhe konsolidoi themelet e sigurisë kombëtare," u shpreh Ministri Hoxha.

Duke vlerësuar kontributin e Shqipërisë ndër vite, ai nënvizoi se vendi ynë ka dëshmuar se është një Aleat i përkushtuar dhe i besueshëm, përmes pjesëmarrjes aktive në misionet dhe operacionet e NATO-s, si dhe përmes rolit të tij në promovimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për perspektivën euro-atlantike të Kosovës.

Ministri theksoi gjithashtu se Shqipëria është sot plotësisht e harmonizuar me prioritetet në zhvillim të NATO-s, duke kontribuar në ndarjen e drejtë të përgjegjësive, rritjen e investimeve në mbrojtje, forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe në adoptimin e inovacionit dhe teknologjive të reja në një mjedis sigurie gjithnjë e më dinamik.

Në vijim, ai nënvizoi rëndësinë e përgatitjeve të Shqipërisë për të pritur një Samit të NATO-s për herë të parë në rajon, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të qartë të besimit të Aleancës në rolin dhe kontributin e vendit tonë.

"Në një botë gjithnjë e më komplekse dhe të pasigurt, Shqipëria mbetet e palëkundur - e bashkuar me Aleatët, e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe e dedikuar për ruajtjen e paqes, lirisë dhe vlerave tona të përbashkëta," përfundoi Ministri Hoxha.

#NeJemiNATO
#MëTëFortëSëBashku

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on April 01, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on April 01, 2026 at 14:09 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]