Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

10/17/2025 | Press release | Distributed by Public on 10/17/2025 14:44

Ministrja Spiropali viziton Katedrën e Shqipes në Napoli, të themeluar nga Jeronim De Rada

Napoli, 17 Tetor 2025 - Në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Dialogun Mesdhetar MED2025, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi një vizitë gjithashtu pranë Katedrës së Shqipes - pjesë e Universitetit l'Orientale të Napolit - e cila është themeluar nga rilindasi Jeronim De Rada dhe është një nga vatrat ku u farkëtua mendimi politik dhe ndërgjegjja e Rilindjes sonë Kombëtare.

"Me krenari e vizitova sot Katedrën e Shqipes pranë Universitetit l'Orientale të Napolit - e themeluar nga Jeronim De Rada dhe një nga vatrat ku u farkëtua mendimi politik dhe ndërgjegjja e Rilindjes sonë Kombëtare.

U mikpritëm nga Rektori Roberto Tottoli dhe zhvilluam një bashkëbisedim të hapur me të rinj italianë, shqiptarë të gjeneratës së dytë dhe arbëreshë që studiojnë shqip dhe albanologji pranë kësaj katedre prestigjioze." - shprehet Ministrja Spiropali.

Përgjatë bashkëbisedimit, Spiropali konfirmoi mbështetjen e institucioneve shqiptare për forcimin dhe thellimin e lidhjeve akademike, shkencore, kulturore e sociale mes dy vendeve tona.

Kjo është vizita e parë e një ministri të jashtëm shqiptar pranë kësaj katedre - e para në llojin e vet në botë për Gjuhën, Letërsinë dhe Filologjinë shqipe - si dhe nismëtare e shkencës se albanologjisë.

Jeronim De Rada e themeloi atë me bindjen dhe me ndërgjegjen politike të "Rilindjes" së identitetit të vet etno-gjuhësor (si arberësh), si dhe në kornizën e Rilindjes Kombëtare shqiptare.

Katedra e Napolit ishte qendra e parë që më pas solli dhe ndihmoi të krijohen katedrat e tjera të mësimit dhe studimit të gjuhës shqipe në Itali a në vende të tjera, sepse kontribuoi shumë edhe në formimin shkencor të një numri të ndjeshëm studiuesish, kryesisht arbëreshë, që njëri pas tjetrit kanë marrë në dorë drejtimin e katedrave në të gjithë territorin italian, duke siguruar edhe vijimësinë operative, qoftë në rrafshin e mësimdhënies së shqipes, ashtu edhe në rrafshin e kërkimit shkencor në lëmin e albanologjisë.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on October 17, 2025, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on October 17, 2025 at 20:45 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]