Ministry of Defence - Republic of Albania

07/31/2026 | Press release | Distributed by Public on 07/31/2026 08:57

40 mjete taktike të prodhuara nga industria shqiptare i shtohen FA, Ministri Nufi: Objektiv, të ndërtojmë një industri moderne të mbrojtjes

40 mjete taktike të prodhuara nga industria shqiptare i shtohen FA, Ministri Nufi: Objektiv, të ndërtojmë një industri moderne të mbrojtjes

e premte, 31 korrik 2026 16:48

40 mjete taktike të prodhuara "Timak Defence" - partneritet mes kompanisë shtetërore "KAYO" dhe kompanisë "TIMAK" - iu dorëzuan sot Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procesit të modernizimit të kapaciteteve operacionale dhe zhvillimit të industrisë vendase të mbrojtjes.

Fotogaleria

Ceremonia e marrjes në dorëzim u zhvillua në Bazën e Mbështetjes së Emergjencave Civile, Ferraj, Tiranë, në praninë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama; Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi; Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji; përfaqësues të "TIMAK Defence", gjeneralë, oficerë etj.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi e cilësoi këtë moment si një ditë krenarie për industrinë shqiptare të mbrojtjes.

"Sot është një tjetër ditë krenarie për industrinë e mbrojtjes të Shqipërisë! Një kapitull i hapur tashmë që ndërton një të ardhme akoma më të mirë për modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Këto 40 mjete taktike janë një kontribut i qartë në forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura. Ndër të tjera, sot jemi dëshmitarë më shumë se kurrë të asaj që Shqipëria po ndërton, diçka që vite e kemi konsideruar një objektiv ambicioz: aftësinë për të zhvilluar kapacitete vendase në Industrinë e Mbrojtjes." - u shpreh Ministri Nufi.

Ai nënvizoi se zhvillimi i industrisë vendase të mbrojtjes është tashmë një objektiv strategjik, i lidhur me nevojat kombëtare të sigurisë dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

"Vendimet e marra nga NATO dhe rritja e investimeve në mbrojtje shoqërohen me një tjetër mesazh të rëndësishëm: Vendet aleate duhet të forcojnë bazën e industrisë së tyre vendase, të zhvillojnë teknologji, të krijojnë kapacitete prodhuese që i shërbejnë sigurisë kolektive. Si aleate e përgjegjshme, Shqipëria është plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Partneriteti ndërmjet shoqërisë KAYO dhe shoqërisë TIMAK është shembull konkret i produktit të dalë pikërisht nga këto dy ligje - nga ligji për KAYO-n dhe ligjit për Industrinë e Mbrojtjes, dhe pjesë e këtij vizioni të çmuar janë vetëm të parët e zhvillimit të një industrie të suksesshme të mbrojtjes." - deklaroi ministri Nufi.

Më tej në fjalën e tij, Ministri Nufi u shpreh se:

"Objektivi ynë mbetet plotësisht i qartë! Ne duam të ndërtojmë një industri moderne të mbrojtjes, të aftë të përmbushë nevojat e institucioneve tona dhe të gjitha angazhimeve që ne kemi në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, por njëkohësisht edhe të integrojmë zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, duke përmbushur standardet më të larta të cilësisë dhe të besueshmërisë. Kjo nuk është një ambicie afatshkurtër! Është një investim strategjik për ardhmen e vendit!".


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on July 31, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on July 31, 2026 at 14:57 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]