Ministry of Defence - Republic of Albania

03/07/2026 | Press release | Distributed by Public on 03/07/2026 03:59

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi merr zyrtarisht detyrën: Prioritet, modernizimi i FA dhe rijetëzimi i industrisë ushtarake

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi merr zyrtarisht detyrën: Prioritet, modernizimi i FA dhe rijetëzimi i industrisë ushtarake

e shtunë, 07 mars 2026 10:53

Ministri Ermal Nufi ka marrë zyrtarisht detyrën në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, në një ceremoni të posaçme të zhvilluar në Garnizonin "Skënderbej". Detyra iu dorëzua nga ministri në largim, Pirro Vengu, në prani të drejtuesve të Forcave të Armatosura, gjeneralëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Fotogaleria

Në fjalën e tij të parë, ministri Nufi theksoi përgjegjësinë që mbart ky institucion për sigurinë e vendit dhe për rolin e Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare: "Sot marr detyrën si ministër i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë me një ndjenjë të thellë nderi, por mbi të gjitha me vetëdijen e plotë për përgjegjësinë që mbart ky institucion për sigurinë e vendit tonë", - u shpreh ministri Nufi.

Ai falënderoi kryeministrin për besimin e dhënë, ndërsa vlerësoi edhe kontributin e paraardhësit të tij Pirro Vengu, në drejtimin e institucionit dhe në mbështetje të Forcave të Armatosura.

[Link]

Në vijim të fjalës, ministri Nufi theksoi se siguria kombëtare ndërtohet mbi përkushtimin e njerëzve që shërbejnë në uniformë dhe mbi bashkëpunimin institucional: "Siguria e një vendi nuk ndërtohet vetëm me strategji apo dokumente të qarta politikisht dhe doktrinalisht. Ajo ndërtohet çdo ditë nga njerëzit, nga burrat dhe gratë që veshin uniformën, nga komandantët dhe drejtuesit që marrin vendime të vështira, nga institucionet që qëndrojnë të forta edhe në kohë pasigurie. Prandaj sot dua të shpreh respektin tim më të thellë për çdo pjesëtar të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, stafet civile e administrative pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, të Emergjencave Civile dhe çdo institucioni varësie të kësaj ministrie", - theksoi ministri i Mbrojtjes.

[Link]

Ministri Nufi nënvizoi gjithashtu se një nga prioritetet kryesore do të jetë modernizimi i Forcave të Armatosura, zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe forcimi i rolit të Shqipërisë në aleancat ndërkombëtare: "Një nga prioritetet e kësaj ministrie, sipas vullnetit politik të kryeministrit mbetet zhvillimi dhe modernizimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, rijetësimi i industrisë ushtarake, rritja e kapaciteteve për përballimin e emergjencave civile si dhe hapja e rrugës drejt inovacionit në fushën e Mbrojtjes, në përputhje të plotë me standardet e NATO për të garantuar efektivitetin e të gjitha strukturave tona", - u shpreh ministri Nufi.

Në fjalën e tij, ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rolit të NATO, si garancia më e fortë për sigurinë e vendit dhe angazhimin e Shqipërisë, si një aleate aktive dhe e besueshme në kuadër të Aleancës.

[Link]


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on March 07, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on March 07, 2026 at 09:59 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]