Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

02/14/2026 | Press release | Distributed by Public on 02/15/2026 08:05

Spiropali takim me Ministrin Krichbaum: Procesi i zgjerimit, investim strategjik dhe i pazëvendësueshëm i BE

Gjatë qëndrimit të saj në Mynih, në kuadër të Konferencës së Sigurisë, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua me Ministrin e Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum, me fokus me forcimin e partneritetit strategjik Shqipëri-Gjermani në funksion të procesit të integrimit europian.

Në takim u nënvijëzua rëndësia e vijimësisë së procesit të zgjerimit si një investim i pazëvendësueshëm, si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë BE.

"Në këtë kuadër, folëm për një agjendë shumë konkrete për vijimësinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, me një ritëm edhe më të përshpejtuar", deklaroi Spiropali.

Mbështetja e Gjermanisë, sipas saj, ka qenë dhe do të mbetet vendimtare në avancimin e reformave strukturore, forcimin e institucioneve demokratike dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe në jetësimin e objektivit për mbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027.

"Partneriteti me Gjermaninë e forcon këtë perspektivë dhe e bën më të prekshëm objektivin e përbashkët: Shqipërinë anëtare të Unionit, dhe familjen europiane edhe më të fortë e më të sigurtë", theksoi Ministrja e Jashtme.

Postimi i Plotë:

Mynih - Gjatë Konferencës së Sigurisë, kënaqësi të takoja në "House of Germany" Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Europën, me të cilin folëm mbi forcimin e partneritetit strategjik Shqipëri-Gjermani në funksion të procesit të integrimit europian.

Gjatë takimit, diskutuam mbi rëndësinë thelbësore të vijimësisë së procesit të zgjerimit si një investim i pazëvendësueshëm, si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë BE. Në këtë kuadër, folëm për një agjendë shumë konkrete për vijimësinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, me një ritëm edhe më të përshpejtuar. Mbështetja e Gjermanisë ka qenë dhe do të mbetet vendimtare në avancimin e reformave strukturore, forcimin e institucioneve demokratike dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si edhe në jetësimin e objektivit tonë për mbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027.

Anëtarësimi në BE është projekti ynë madhor kombëtar, por njëkohësisht edhe një investim strategjik për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi, çka e ka dëshmuar me vepra përmes reformave të guximshme dhe transformimit të vendit.

Teksa besojmë në një proces të bazuar në meritë, që fitohet përmes punës dhe rezultateve, presim në të njëjtën kohë nga BE që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe i të gjithë rajonit të jetë i besueshëm, i parashikueshëm dhe në kohë, në të mirën e përbashkët për të ardhmen e mbarë kontinentit.

Partneriteti me Gjermaninë e forcon këtë perspektivë dhe e bën më të prekshëm objektivin e përbashkët: Shqipërinë anëtare të Unionit, dhe familjen europiane edhe më të fortë e më të sigurtë.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on February 14, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on February 15, 2026 at 14:05 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]