Ministry of Defence - Republic of Albania

09/17/2025 | Press release | Distributed by Public on 09/17/2025 06:24

Shefat e Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Kartës së Adriatikut (USA-A5) mblidhen në Tiranë, ministri Vengu: Shqipëria, ndërtues konsensusi dhe partner i besueshëm për[...]

Shefat e Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Kartës së Adriatikut (USA-A5) mblidhen në Tiranë, ministri Vengu: Shqipëria, ndërtues konsensusi dhe partner i besueshëm për sigurinë rajonale

e mërkurë, 17 shtator 2025 14:13

Tirana mikpriti Konferencën e 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SHBA-A5). Punimet e kësaj konference, e cila zhvillohet për të dytin vit radhazi në vendin tonë, i përshëndeti ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për të mbetur një partner i besueshëm dhe ndërtues konsensusi në rajon si dhe për të forcuar rolin e saj në sigurinë euroatlantike.

[Link]

Ministri Vengu nënvizoi rëndësinë e Kartës së Adriatikut si një mekanizëm bashkëpunimi dhe qëndrueshmërie: "Karta e Adriatikut ka lindur nga një vizion bashkëpunimi, stabiliteti dhe fati të përbashkët euroatlantik. Parimet e saj mbeten të pandryshuara, por në mjedis strategjik që ndryshon me shpejtësi, ndaj ne duhet të përshtatemi dhe të ripërtërijmë misionin e saj. Për Shqipërinë, Karta nuk është thjesht një iniciativë tjetër rajonale, por është një nxitës i bashkëpunimit praktik dhe qëndrueshmërisë kolektive. Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara e bën atë një iniciativë shumë të rëndësishme", - theksoi ministri i Mbrojtjes.

Duke iu referuar vendimeve të Samitit të Hagës, ministri shtoi: "Vendimet e marra në Samitin e Hagës na japin një mundësi unike për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë rajonale dhe për të marrë më shumë përgjegjësi brenda NATO-s dhe BE-së."

Në vijim, ministri Vengu renditi pesë fushat kryesore ku Shqipëria dhe partnerët duhet të veprojnë me vendosmëri: "Rritja e burimeve financiare për buxhetet tona të mbrojtjes; Zgjerimi i industrisë së mbrojtjes dhe prodhimit ushtarak; Fitimi i aftësive vdekjeprurëse dhe me përdorim të dyfishtë për të modernizuar Forcat tona të Armatosura; Investimi në infrastrukturën kritike dhe kapacitetin e vendeve pritëse për të përforcuar qëndrueshmërinë dhe forcimi i ndërveprimit me aleatët dhe partnerët përmes trajnimeve, stërvitjeve dhe operacioneve."

Ministri nënvizoi gjithashtu se: "Shqipëria po ecën me vendosmëri në këtë rrugë duke rritur Shpenzimet e Mbrojtjes, duke rigjallëruar bazat tona industriale, duke investuar në infrastrukturë në përputhje me kriteret e NATO-s dhe BE-së. Qëllimi ynë është ta pozicionojmë Shqipërinë si një qendër të besueshme për industrinë e mbrojtjes, një qendër kryqëzimi, lidhshmërie dhe ndërveprimi ushtarak, lëvizshmërie ushtarake në të gjithë Evropën Juglindore, në rajonin e Adriatikut, në një hapësirë me rëndësi të pamohueshme strategjike për sigurinë euroatlantike."

[Link]

Duke iu referuar sfidave të reja të sigurisë në rajon, ministri theksoi domosdoshmërinë që iniciativa të përshtatet me realitetin e sotëm: "Ne duhet të largohemi nga loja e fajësimeve dhe të distancohemi nga fishekzjarrët që e mbajnë rajonin tonë prapa. Ndërtimi i besimit, pranimit dhe bashkëpunimit praktik është e vetmja rrugë përpara. Në këtë frymë, ka ardhur koha që SHBA-A5 të evoluojë: Kosova duhet të përfshihet, plotësisht dhe formalisht, si një anëtare e natyrshme e këtij komuniteti. Le të kemi guximin ta bëjmë këtë iniciativë të jetë në lartësinë e vizionit të saj themelues: një familje kombesh që nuk janë të ndara nga historia, por të bashkuara në fat", - nënvizoi ministri Vengu.

Ministri përforcoi angazhimin e Shqipërisë në misionet ndërkombëtare të NATO-s dhe BE-së: "Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe bashkëpunimit. Kjo është arsyeja pse rreth 500 trupa shqiptare janë të dislokuara në KFOR dhe ALTHEA, ndërsa kontributet tona në Letoni dhe Bullgari sinjalizojnë se ne i marrim seriozisht edhe kërcënimet në krahun lindor. Sa i përket Ukrainës, ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë politike dhe kontributet tona ushtarake në Interflex, NSATU dhe JATEC", - u shpreh ministri.

Konferenca e 28-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SHBA-A5) u bashkëkryesua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, shefi i Shtabit të FA të Bosnje-Hercegovinës gjenerallejtënant Gojko Knezevic dhe komandanti i Komandës Amerikane në Evropë, gjeneral Alexus G. Grynkewich.

[Link]

Në përfundim të punimeve, shefat e Shtabit të Përgjithshëm nënshkruan Deklaratën e Përbashkët, ku theksohet rëndësia e bashkëpunimit rajonal, forcimit të kapaciteteve të përbashkëta dhe rritjes së sigurisë euroatlantike. Dokumenti parashikon angazhime konkrete për rritjen e investimeve në mbrojtje, modernizimin e forcave, sigurinë kibernetike dhe zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së plotë të Kosovës si pjesë natyrale e kësaj nisme rajonale.

Në takim morën pjesë përfaqësuesit e vendeve nënshkruese të Kartës (SHBA, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut), vendet me status vëzhgues (Kosova dhe Sllovenia), përfaqësues nga Gardat Kombëtare të SHBA dhe shtetet partnere të Programit të Partneritetit Shtetëror, si dhe zëvendëskomandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO në Napoli.

[Link]


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on September 17, 2025, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on September 17, 2025 at 12:24 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]