Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

06/03/2026 | Press release | Distributed by Public on 06/03/2026 12:34

Ministri Hoxha takim me Kryetarin e Komunës së Bujanocit: Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përparësi e institucioneve tona

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha priti ditën e sotme në Tiranë Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti.

Takimi u fokusua në mundësitë për forcimin e bashkëpunimit me institucionet vendore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, jo vetëm në planin politik, por edhe përmes nismave dhe projekteve konkrete në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës, rinisë dhe zhvillimit lokal.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha deklaroi se gjatë takimit "ritheksova vëmendjen e vazhdueshme të Qeverisë së Shqipërisë ndaj çështjeve dhe shqetësimeve të shqiptarëve në Luginë".

"Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve atje, respektimi i parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit, si dhe ruajtja dhe avancimi i identitetit të tyre kombëtar, gjuhësor e kulturor, mbeten përparësi të qëndrueshme të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të institucioneve shqiptare. Shqipëria do të vijojë të kërkojë zbatimin e standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, si dhe respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve në Serbi", shkroi Ministri i Jashtëm.

Ministri shprehu gatishmërinë për të vijuar një komunikim të rregullt dhe të ngushtë me të gjithë përfaqësuesit institucionalë dhe politikë të shqiptarëve të Luginës.

"Po ashtu, nënvizova rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit mes aktorëve dhe subjekteve politike shqiptare në Luginë, si një element kyç për avancimin e interesave, maksimalizimin e impaktit përfaqësimit politik në funksion të realizimit të të drejtave të tyre legjitime", përfundon Hoxha.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on June 03, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on June 03, 2026 at 18:34 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]