04/03/2026 | Press release | Distributed by Public on 04/04/2026 09:27
Në mjediset e Komandës së Forcës Ajrore, në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza", u zhvillua ceremonia e marrjes së detyrës së komandantit të ri të Forcës Ajrore, gjeneral brigade Edmond Voci.
Në këtë aktivitet morën pjesë ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi, zëvendësministri i Mbrojtjes Enkelejd Joti, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerallejtënant Arben Kingji, komandantët e forcave, si dhe efektivë nga të gjitha repartet e Forcës Ajrore.
Fotogaleria
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes vlerësoi kontributin dhe drejtimin e deritanishëm të gjeneralmajor Ferdinant Dimos, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Forcës Ajrore në kuadër të Forcave të Armatosura dhe të angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Ai u shpreh se ndërrimi i komandës përfaqëson vazhdimësinë institucionale dhe besimin tek e ardhmja, ndërsa nënvizoi se transformimi i Forcës Ajrore është pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë si një aleat i besueshëm në Aleancë.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor, përmes përmirësimit të kushteve të shërbimit, rritjes së pagave dhe trajnimit të vazhdueshëm sipas standardeve të NATO. Ai evidentoi pjesëmarrjen aktive të Forcës Ajrore në misione dhe stërvitje ndërkombëtare, si dhe objektivat për rritjen e kapaciteteve operacionale, përfshirë plotësimin e flotës së helikopterëve.
Më tej, ministri Nufi përmendi rëndësinë strategjike të Bazës Ajrore të Kuçovës si një bazë e NATO, që rrit rolin e Shqipërisë në sigurinë rajonale dhe më gjerë.
Ministri Nufi shprehu besimin se komandanti i ri, gjeneral brigade Edmond Voci do të vijojë me përkushtim dhe profesionalizëm misionin e Forcës Ajrore, duke garantuar nga ana e tij mbështetjen e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në fjalën e tij, gjeneral brigade Edmond Voci shprehu vizionin e tij të qartë si komandant për një Forcë Ajrore moderne, të mirëtrajnuar, të disiplinuar dhe të bashkuar, ku çdo individ ndihet i vlerësuar dhe i motivuar për të dhënë më të mirën në shërbim te Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim, u zhvillua edhe ceremonia simbolike e dorëzimit të detyrës, ku gjeneralmajor Dimo i dorëzoi flamurin e forcës shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtnant Kingji, i cili më pas ia dorëzoi atë komandantit të ri, gjeneral brigade Voci.