Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

03/28/2026 | Press release | Distributed by Public on 03/28/2026 13:05

Hoxha: Integrimi evropian, përgjegjësi dhe investim i gjithsecilit prej nesh. Shqipëria i ka kapacitetet për të justifikuar ambiciet e saj mbi negociatat e anëtarësimit në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, nisën nga Shkolla e Magjistraturës në Tiranë turin e dialogut "BE dhe Ti: Evropa fillon këtu".

Sipas Ministrit Hoxha, ky është një tur për të biseduar mbi rolin e çdo qytetari në mënyrë që procesi i integrimit të bëhet i prekshëm për të gjithë dhe se takimet nuk janë leksione, por bashkëbisedim me të rinjtë.

"E kemi nisur këtë dialog me ministren Pirdeni dhe, së shpejti edhe me Kryenegociatoren Dhuka, të cilin duam ta titullojmë - dhe kjo është hera e parë që po e përmend - 'EU and You, Europe Starts at Home'. E thenë shqip: BE-ja dhe Ti - Evropa fillon këtu. Fillon tek gjithsecili prej nesh. Sepse nëse nuk kuptojmë rolin tonë, pjesën tonë, pjesëmarrjen dhe kontributin tonë, nuk do ta kemi kuptuar as vetë procesin. Integrimin nuk e bën as Ministri i Jashtëm, as ministrat, as qeveria.

Integrimin e bëjmë të gjithë bashkë. Integrimi është përgjegjësi e parë e ekipit negociator, e grupeve të tyre dhe e nëpunësve civilë, por edhe e një numri të gjerë aktorësh nga shoqëria civile, bota e biznesit dhe të gjitha fushat e veprimtarisë në këtë vend, të cilët kanë një rol dhe një kontribut të pazëvendësueshëm. Nëse arrijmë të kemi të njëjtin kuptim për procesin dhe nëse secili prej nesh jep kontributin e tij, atëherë do të jemi të denjë për të qenë pjesë e asaj tavoline dhe e asaj familjeje", tha Hoxha.

Zgjerimi - theksoi Ministri - është sot një nga pesë prioritetet kryesore në Bruksel dhe ky është momenti kur interesat e Shqipërisë përputhen me ato të Bashkimit Evropian.

"Kurrë më parë, pas vitit 2004, në Bruksel nuk është folur me kaq sinqeritet, vendosmëri dhe bindje për zgjerimin, duke e parë atë si pjesë të rëndësishme të rindërtimit të arkitekturës së sigurisë në Bashkimin Evropian. Pra, zgjerimi nuk është i rëndësishëm vetëm për ne, por edhe për vetë Bashkimin Evropian. Ky është momenti i një përputhjeje të favorshme: interesat tona, të shprehura vazhdimisht dhe me bindje, sot gjejnë një përgjigje të qartë edhe nga Bashkimi Evropian. Për herë të parë kemi një shans real për ta bërë këtë realitet", nënvizoi Hoxha.

Sipas Ministrit, Shqipëria sot ka mundësitë, kapacitetet dhe energjitë për të mbyllur negociatat në një kohë relativisht të shkurtër, në përputhje me një plan pune të përbashkët me Komisonin Evropian, brenda dy vjetësh.

"Por kjo është një ambicie që nuk është vetëm e jona. Është një ambicie që mbështetet nga institucioni që negocion në emër të 27 vendeve anëtare, Komisioni Evropian. Ne kemi një plan të përbashkët me Bashkimin Evropian, të cilin deri tani e kemi zbatuar plotësisht. Gjatë vitit 2025, në një hark kohor prej rreth 13 muajsh, u hapën të gjithë kapitujt - 33 kapituj, të organizuar në 6 grupe. Kjo nuk ndodhi vetëm sepse e dëshiron Bashkimi Evropian, por sepse Shqipëria sot ka kapacitetet, përgjegjësinë dhe aftësitë për të ecur përpara", u shpreh ai.

Integrimi, shtoi më tej Hoxha, është një standard dhe një mënyrë funksionimi.

"Integrimi është mënyrë veprimi: si ndërveprojmë me njëri-tjetrin dhe si ndërveprojmë me të tjerët. Është një kulturë institucionale. Nëse institucionet tona nuk funksionojnë dhe nuk ndërveprojnë si ato të Bashkimit Evropian, nuk do të jemi në gjendje të veprojmë si pjesë e asaj familjeje, të mbrojmë interesat tona dhe të promovojmë interesat e përbashkëta. Integrimi evropian është detyrë, përgjegjësi, punë dhe investim i gjithsecilit. Në Bashkimin Evropian nuk hyn qeveria apo parlamenti - hyjmë të gjithë. Si në përfitime, ashtu edhe në përgjegjësi, jemi bashkë në këtë rrugëtim. Jemi në të njëjtën anije dhe detyra jonë është ta çojmë atë sa më shpejt në portin e duhur", përfundoi Ministri i Jashtëm i Shqipërisë.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on March 28, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on March 28, 2026 at 19:05 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]