Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

08/25/2025 | Press release | Distributed by Public on 08/25/2025 02:12

MEPJ përshëndet Opinionin Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi “Detyrimet e shteteve në lidhje me ndryshimet klimatike”

22 Gusht 2025 - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) përshëndet Opinionin Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi "Detyrimet e shteteve në lidhje me ndryshimet klimatike", i cili shënon një moment historik në zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare për klimën. Ky mendim përputhet ngushtësisht me paraqitjet ligjore të Shqipërisë dhe konfirmon parimet kyçe që janë mbështetur prej kohësh nga vendi ynë dhe aleatët tanë.

Gjykata e njeh ndryshimin klimatik si një "kërcënim urgjent dhe ekzistencial" dhe konfirmon se të gjitha shtetet, pavarësisht nga statusi i tyre në traktatet ndërkombëtare, janë të detyruara nga e drejta ndërkombëtare të parandalojnë dëmet serioze ndaj mjedisit, të bashkëpunojnë në mënyrë globale dhe të respektojnë të drejtat e njeriut në veprimet për klimën. Gjykata thekson se, shtetet duhet të veprojnë në përputhje me objektivin e rritjes maksimale prej 1.5°C të temperaturës globale dhe se dështimi për të kufizuar emetimet e gazeve serrë mund të përbëjë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Pikat kyçe përfshijnë: njohjen e të drejtës së veçantë dhe të pavarur për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm; detyrimet zakonore të detyrueshme për të parandaluar dëmet dhe për të bashkëpunuar në nivel ndërkombëtar; përgjegjësinë për mungesën e veprimit ndaj krizës klimatike, përfshirë subvencionet për karburantet fosile dhe zgjerimin e përdorimit të tyre; si dhe mbrojtjen e komuniteteve vulnerabël dhe barazinë ndërbreznore si parime udhëzuese.

Kjo shënon një sukses të rëndësishëm për Republikën e Shqipërisë dhe për të gjitha shtetet që janë të përkushtuara ndaj drejtësisë klimatike dhe llogaridhënies. Opinioni i GJND-së ofron një bazë të fortë ligjore për angazhime më të fuqishme kombëtare për klimën, për rregullimin e përgjegjshëm të investimeve dhe për një qeverisje më të drejtë të çështjeve klimatike në nivel global.

Udhëheqja e Shqipërisë në procedurat e GJND-së, së bashku me përkushtimin e saj ndaj drejtësisë klimatike dhe llogaridhënies ligjore, e kanë forcuar më tej rolin e saj si një zë parimor dhe i besueshëm në skenën ndërkombëtare. Mbrojtja e natyrës është thelbësore për drejtësinë klimatike, si dhe një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë.

Për të interesuarit që duan të aksesojnë Opinionin Këshillimor të Gjykatës, si dhe Deklaratën dhe Komentet e shkruara të Republikës së Shqipërisë, lutemi t'i referoheni linkut vijues: https://icj-cij.org/case/187

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on August 25, 2025, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on August 25, 2025 at 08:12 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]