09/19/2026 | Press release | Distributed by Public on 09/19/2026 07:59
Ministri Nufi: "Komponent i rëndësishëm i forcimit të kapaciteteve të personelit ushtarak"
Ministri Nufi: "Rrit ndërveprueshmërinë së FA me NATO-s dhe në angazhimet e përbashkëta shumëkombëshe"
26 efektivë të Forcave të Armatosura nisin kursin intensiv dhe profesional 3-mujor të gjuhës angleze pranë Departamentit të Gjuhëve të Huaja, në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë - pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në kuadër të nisjes së kursit dhe duke iu uruar suksese në këtë rrugëtim, Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Nufi zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me kursantët dhe pedagogët, ndërsa vlerësoi se:
"Në një mjedis sigurie gjithnjë e më të integruar dhe shumëkombësh, zotërimi profesional i gjuhës së huaj dhe veçanërisht, aftësia për të përdorur saktë terminologjinë tekniko-ushtarake, është një komponent i rëndësishëm i kapaciteteve të personelit ushtarak."
Sipas Ministrit Nufi: "Ky formim kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura me NATO-n dhe në përgatitjen e personelit për të vepruar me efektivitet në struktura, misione dhe angazhime të përbashkëta shumëkombëshe."
Ndër të tjera, Ministri i Mbrojtjes Nufi falënderoi në mënyrë të veçantë edhe pedagogët e Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për nivelin e lartë të përgatitjes profesionale, përkushtimin dhe standardin teknik të punës në formimin e kursantëve.