 Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania
Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania
10/31/2025 | Press release | Distributed by Public on 10/31/2025 05:33
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës me synim avancimin e agjendës së integrimit europian të Shqipërisë dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.
Spiropali u takua me Ministren për Europën, Marie Bjerre, mbi objektivat për avancimin e mëtejshëm të agjendës së integrimit të Shqipërisë në BE.
Spiropali deklaroi se Danimarka mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ministrja theksoi se "nën Presidencën daneze të BE, mbështetja e së cilës ka qenë faktor përcaktues në progresin e deritanishëm, presim të çelim brenda Nëntorit grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit".
Bashkë me Ministren Bjerre, Spiropali iu bashkua tryezës së Institutit Rasmussen Global për ndikimin e procesit të zgjerimit në të ardhmen e Europës, në prezencën e Dhomave të Tregtisë daneze, ku theksoi se "për Shqipërinë, rruga drejt anëtarësimit është histori e një transformimi të thellë politik, ekonomik e shoqëror."
Gjatë kësaj vizite, Ministrja Spiropali u prit gjithashtu nga Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen.
Fokusi i takimit mes dy homologëve ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në kontekstin e Presidencës daneze të BE.
Spiropali deklaroi se "arkitektura e reformave të ndërmarra nga Shqipëria për përafrimim me standardet e BE, njihet dhe vlerësohet si vlerë e shtuar për vetë dinamikat e zgjerimit të Bashkimit Europian".
Si dy aleatë në NATO - shtoi Spiropali - Shqipëria dhe Danimarka besojnë fuqimisht te angazhimi i përbashkët për një Europë më të sigurtë e më të begatë.
Ministrja Spiropali zhvilloi gjithashtu një takim me Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit danez, të kryesuar nga kryetari Christian Friis Bach.