Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

05/07/2025 | Press release | Distributed by Public on 05/07/2025 06:39

Progresi i bashkëpunimit rajonal, mjet kyç në përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian

Kretë, Greqi, 6-7 Maj 2025 - Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Armand Skapi mori pjesë në Forumin vjetor të Iniciativës Adriatiko-Joniane (AII) dhe të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), i zhvilluar nën Kryesinë Greke. Në fjalën e mbajtur ai shprehu vlerësimin për organizimin dhe përmbylljen me sukses të Kryesisë Greke.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një instrument kyç për përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai vlerësoi kontributin e EUSAIR në rritjen e bashkëpunimit shumë-nivelesh, zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara dypalëshe dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale.

Gjatë fjalimit u theksua se Shqipëria është e angazhuar në zbatimin e projekteve nën IPA III (2021-2027), në fusha si mjedisi, turizmi, energjia dhe transporti. Po ashtu, u përmend roli i rëndësishëm që kanë kultura, turizmi dhe përfshirja e të rinjve në vendimmarrje, si elementë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin evropian.

Skapi nënvizoi se progresi i bashkëpunimit rajonal është një mjet kyç për përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria vlerëson kontributin e AII dhe të Strategjisë EUSAIR në fuqizimin e ndërveprimit mes vendeve partnere dhe në përgatitjen e vendeve kandidate për integrimin evropian. Ai u shpreh se Strategjia EUSAIR është gjithashtu një mekanizëm kyç për nxitjen e bashkëpunimit shumëpalësh, duke përfshirë vendet anëtare dhe jo-anëtare të BE-së në një proces të përbashkët zhvillimi dhe vendimmarrjeje.

Në mbyllje, Sekretari i Përgjithshëm theksoi se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet më 16 maj 2025 në Tiranë. Ky Samit përbën një moment të rëndësishëm për të theksuar rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon dhe për të promovuar më tej angazhimin e vendit në përmbushjen e objektivave të integrimit evropian.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on May 07, 2025, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on May 07, 2025 at 12:39 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at support@pubt.io