06/26/2026 | Press release | Archived content
Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me drejtues, pilotë, teknikë, operatorë dhe personelin e Forcës Ajrore në Bazën Ajrore të Farkës.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutua mbi gatishmërinë operacionale, përmbushjen e detyrave dhe misioneve, modernizimin e kapaciteteve, zhvillimin profesional të personelit, si dhe sfidat me të cilat përballet Forca Ajrore në përmbushjen e misionit të saj. Efektivët patën mundësinë të ndanin mendime, përvoja dhe sugjerime mbi çështje që lidhen me punën e përditshme dhe rritjen e efektivitetit operacional.
Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi shprehu vlerësimin për profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e personelit të Forcës Ajrore, duke theksuar se angazhimi i tyre është një garanci e rëndësishme për ruajtjen e sigurisë ajrore të vendit dhe për përmbushjen me sukses të detyrave kombëtare dhe angazhimeve në kuadër të NATO-s.
Ministri Nufi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm nënvizuan gjithashtu rëndësinë e vijimit të investimeve në modernizimin e kapaciteteve, rritjen e nivelit të trajnim-kualifikimit të personelit dhe forcimin e gatishmërisë operacionale, si elementë thelbësorë për përmbushjen me sukses të misioneve të Forcës Ajrore.