01/10/2025 | Press release | Distributed by Public on 01/10/2025 06:07
Grupi i Kontaktit i Mbrojtjes për Ukrainën (UDCG) zhvilloi takimin e tij të 25-të në Ramstein, Gjermani.
Vendet pjesëmarrëse në koalicion shprehën vendosmërinë e tyre për të bërë gjithçka që është e mundur për të siguruar që Ukraina të vijojë të marrë ndihmën e duhur humanitare dhe ushtarake, e cila do t'i mundësojë pozita më të forta kur bisedimet të fillojnë, me iniciativën e Ukrainës, për zgjidhjen e konfliktit.
Takimi, i organizuar nga sekretari Amerikan i Mbrojtjes, z. Lloyd Austin, u zhvillua në nivel ministrash dhe në të morën pjesë sekretari i Përgjithshëm i NATO, z. Mark Rutte, presidenti i Ukrainës, z. Volodymyr Zelenskyy, si dhe përfaqësues nga 50 vende mbështetëse për Ukrainën. Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Dorian Tola.
Falë mbështetjes së Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën, janë siguruar deri tani më shumë se 126 miliardë dollarë ndihma, ndërsa Ukraina ka marrë furnizime thelbësore për t'u mbrojtur nga agresioni i vazhdueshëm rus. Këto furnizime përfshijnë tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore, automjete luftarake, municione, avionë F-16 dhe trajnime për pilotët.
Në fjalën e tij, sekretari i Përgjithshëm i NATO, z. Mark Rutte, theksoi: "Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që Ukraina të ketë atë që i nevojitet, për sa i përket trajnimit dhe pajisjeve, për të mbizotëruar në këtë luftë." Ai nënvizoi gjithashtu se lufta e vazhdueshme në Ukrainë ka implikime të drejtpërdrejta për sigurinë globale.
Ministrat e Mbrojtjes miratuan një program udhërrëfyes të koalicioneve të aftësive, i udhëhequr nga 14 vende dhe Ukraina. Ky program prezanton një qasje efikase dhe të qëndrueshme për përmbushjen e nevojave afatshkurtra dhe afatgjata të Ukrainës, duke u fokusuar në fushat e forcave ajrore, mjeteve të blinduara, artilerisë, çminimit, dronëve, teknologjisë së informacionit, mbrojtjes së integruar ajrore dhe raketore, si dhe sigurisë detare.
Në përfundim të takimit, anëtarët e grupit ritheksuan vendosmërinë e tyre të palëkundur për të vijuar mbështetjen ndaj sovranitetit të Ukrainës dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.