Ministry of Defence - Republic of Albania

01/19/2026 | Press release | Distributed by Public on 01/19/2026 09:40

Kundëradmiral Arsen Mullaj merr detyrën e Komandantit të Forcës Detare, ministri Vengu: Modernizimi, prioritet strategjik i qeverisë

Kundëradmiral Arsen Mullaj merr detyrën e Komandantit të Forcës Detare, ministri Vengu: Modernizimi, prioritet strategjik i qeverisë

e hënë, 19 janar 2026 16:08

Në një ceremoni të posaçme, Kundëradmiral Arsen Mullaj mori zyrtarisht detyrën e Komandantit të Forcës Detare, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës. Ai zëvendëson në këtë detyrë Nënadmiral Adnand Agastra, i cili përfundon mandatin e tij në krye të Forcës Detare.

Fotogaleria

[Link]

Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës mori pjesë Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili vlerësoi ndërrimin e komandës si pjesë të vazhdimësisë profesionale dhe forcimit të lidershipit në Forcat e Armatosura. Ministri Vengu shprehu mirënjohje për kontributin dhe lidershipin e treguar nga Nënadmiral Agastra gjatë një karriere të gjatë në shërbim të vendit.

Në fjalën e tij, Ministri Vengu theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen dhe modernizimin e Forcës Detare, duke e cilësuar dimensionin detar si një prioritet strategjik kombëtar.

[Link]

"Në mbi 30 vite tranzicion, Forca Detare është tkurrur gradualisht dhe është mbështetur kryesisht në profesionalizmin e personelit të saj, njerëzve në uniformë, aty ku mungonin mjetet, pajisjet, anijet dhe sistemet mbështetëse. Uroj realisht që, në muajt dhe vitet në vijim, së bashku me komandantin e ri dhe gjithë shtabin e Forcës Detare, të mundësojmë një rimëkëmbje graduale," u shpreh Ministri Vengu.

Sipas tij, kjo është një përparësi e qeverisë shqiptare, e artikuluar disa herë edhe nga Kryeministri, dhe në themel të saj qëndron rikthimi i vendit në horizontin e tij detar dhe adriatiko-jonian.
"Kjo nuk mund të ndodhë pa mjete, pa anije, pa luftanije dhe pa anije logjistike. Për këtë arsye, qeveria shqiptare ka angazhuar jo vetëm financimin e nevojshëm, por edhe kuadrin e duhur ligjor për ringritjen e Pashalimanit si një kantier strategjik, jo vetëm në dobi të forcave tona, por edhe të forcave aleate," theksoi Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

[Link]

Në përfundim, Ministri Vengu uroi suksese Komandantit të ri, personelit të Forcës Detare dhe familjeve të tyre, duke theksuar synimin për ndërtimin e një Force Detare moderne, plotësisht të integruar në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe të gatshme për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe sigurinë detare.

[Link]


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on January 19, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on January 19, 2026 at 15:40 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]