01/28/2026 | Press release | Distributed by Public on 01/28/2026 10:11
Kontakt
Rruga e Kavajes,Nr. 1001,Tirane,Shqiperi
[email protected]
+355 22 600 222
Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin e ri "Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje", një nismë e MSHMS-së me kontribut të UNDP-së dhe UN Women në Shqipëri, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Ligji i ri mbron nga të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunën në familje dhe përfaqwson një angazhim të qartë për mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe sigurisë së grave, vajzave, fëmijëve, moshës së tretë dhe personave me aftësi të kufizuara.
Kuadri i ri ligjor ndërton një sistem të unifikuar civilo-administrativ, që integron parandalimin, mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, si dhe trajtimin e dhunuesve, përmes një koordinimi të strukturuar mes institucioneve qendrore, vendore dhe shoqërisë civile.
Një nga risitë themelore është zgjerimi i qartë i formave të dhunës që mbulon ligji, duke përfshirë dhunën psikologjike, ekonomike dhe seksuale, përndjekjen, martesën e detyruar, ngacmimin seksual, dhunën ndaj grave në politikë dhe, për herë të parë në mënyrë të plotë, dhunën e lehtësuar nga teknologjia. Rregullimi i dhunës digjitale, përfshirë shpërndarjen e imazheve intime pa pëlqim, përndjekjen dhe ngacmimin online, si dhe gjuhën e urrejtjes duke mbyllur boshllëqe të rëndësishme ligjore dhe krijon baza të qarta për ndërhyrje të shpejtë civile dhe administrative.
Ligji vendos në qendër viktimën, ku për herë të parë institucionalizohet vlerësimi individual i riskut dhe nevojave, i cili kryhet që në kontaktin e parë me shërbimet, pa barriera territoriale apo administrative. Mbrojtja shoqërohet me shërbime falas, të koordinuara dhe të personalizuara, përfshirë strehimin emergjent, ndihmën ekonomike afatshkurtër, këshillimin psiko-social dhe mbështetjen për integrim socio-ekonomik.
Përmes një arkitekture të re të urdhrave të mbrojtjes garanton ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive, duke përfshirë urdhrin paraprak të lëshuar nga Policia, urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes dhe urdhrin e mbrojtjes. Sistemi i ri siguron mbrojtje edhe pa u kushtëzuar nga nisja e procedimit penal, ndërsa zgjeron masat mbrojtëse për të gjitha format e dhunës, përfshirë atë digjitale dhe politike.
Në mjedisin digjital, ligji parashikon mekanizma të drejtpërdrejtë dhe të zbatueshëm, si urdhra administrativë për heqjen e menjëhershme të materialeve të dëmshme, afate të shkurtra për bllokimin e përmbajtjeve dhe sanksione progresive për moszbatim nga ofruesit online, duke garantuar efektivitet edhe në raste kur serverat ndodhen jashtë juridiksionit të Shqipërisë.
Gjithashtu, një tjetër risi e këtij ligji është ndalimi i shprehur i ndërmjetësimit dhe pajtimit në rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke forcuar qasjen me në qendër viktimën dhe duke garantuar dinjitet, siguri, konfidencialitet dhe akses në drejtësi pa diskriminim.
Paralelisht, ai institucionalizon parandalimin përmes edukimit, ndërgjegjësimit, angazhimit të burrave dhe djemve, si dhe trajnimit të detyrueshëm të profesionistëve.
Ligji vendos një mekanizëm të qartë përgjegjësish institucionale, një sistem të konsoliduar të të dhënave dhe mekanizma monitorimi, ndërsa zbatimi i tij do të shoqërohet me akte nënligjore brenda gjashtë muajve dhe një periudhë tranzitore për komponentët më kompleksë, veçanërisht në fushën digjitale.
Miratimi i këtij ligji përfaqëson një mesazh të qartë shtetëror dhe shoqëror: dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje nuk tolerohen dhe mbrojtja e viktimave është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit.
© Ministria e Shëndetësisë 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.
© Ministria e Shëndetësisë 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.