Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

05/06/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/06/2026 01:29

Ministri Hoxha me studentët e Shkodrës: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE sjell më shumë mundësi për të rinjtë në hapësirën mbarë evropiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me studentët e Universitetit "Luigj Gurakuqi", mbi rolin dhe kontributin që secili prej nesh mund dhe duhet të japë në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

"BE dhe Ti: Evropa fillon këtu"

Në Shkodër, në ndalesën e rradhës, për një bashkëbisedim të hapur dhe frymëzues me studentët e Universitetit "Luigj Gurakuqi", mbi rolin dhe kontributin që secili prej nesh mund dhe duhet të japë në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Të rinjtë janë jo vetëm fytyra e Shqipërisë së përditësuar, moderne dhe ambicioze, por edhe forca shtytëse e ndryshimit, energjia që e mban këtë proces jo vetëm gjallë, por edhe e çon përpara çdo ditë.

Sepse, dhe nuk do të lodhemi së përsërituri: anëtarësimi në BE nuk është thjesht një proces teknik negociatash, por një transformim i thellë që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, në arsim më cilësor dhe më të hapur ndaj botës, në një sistem drejtësie më të fortë e të drejtë, në më shumë mundësi në tregun e punës dhe në standarde më të larta jetese, për një Shqipëri më të zhvilluar dhe më të begatë.

Për të rinjtë shqiptarë, BE-ja do të thotë më shumë mundësi për studime dhe programe shkëmbimi; më shumë hapësira për punësim dhe zhvillim profesional, brenda dhe jashtë vendit; si dhe më shumë liri lëvizjeje e bashkëpunimi përtej kufijve, në radhë të parë në hapësirën mbarë evropiane. Një hapësirë ku konkurron në mënyrë të barabartë dhe ku vlerësohen njësoj dijet, aftësitë dhe përkushtimi, pavarësisht nga kombësia.

Ndërsa e ndërtojmë këtë rrugë çdo ditë, me punë konkrete dhe rezultate të matshme, të vlerësuara nga institucionet dhe partnerët tanë evropianë, ky proces gjithëpërfshirës kërkon përkushtim, besim dhe durim, por mbi të gjitha kërkon pjesëmarrjen e secilit.

E ardhmja evropiane e Shqipërisë është projekti ynë i përbashkët politik e shoqëror. Të rinjtë, ashtu siç u vunë në vijën e parë 36 vite më parë për të përmbysur diktaturën, kanë sot një rol kyç për ta çuar vendin përpara, në vijën e parë të ndërtimit të Shqipërisë evropiane dhe realizimit të vizionit të Shqipërisë 2030.

Link: https://x.com/hoxhafer/status/2051919495120232485?s=46&t=toA4veCnO-i55LJ9DxX0OA

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on May 06, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on May 06, 2026 at 07:29 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]