10/22/2026 | Press release | Distributed by Public on 10/22/2026 03:59
Në datë 21 tetor 2026, u zhvillua në Romë, Dialogu i parë Shqipëri-Itali për Sigurinë Kibernetike, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Ministrive të Punëve të Jashtme dhe të Agjencive Kombëtare përgjegjëse për sigurinë kibernetike të të dy vendeve.
Dialogu u zhvillua në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Dypalësh në Fushën e Sigurisë Kibernetike, të nënshkruar në nivel të Ministrave të Jashtëm gjatë Mbledhjes së Përbashkët Ndërqeveritare Shqipëri-Itali (G2G), të zhvilluar në Romë më 23 nëntor 2025. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve dhe vijimit të mbështetjes së vazhdueshme të Italisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Takimi u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ-se, z. Armand Skapi dhe homologu i tij, Amb. Riccardo Guariglia. Gjatë takimit, të dy delegacionet shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet më të fundit në mjedisin e kërcënimeve kibernetike, strategjitë dhe politikat kombëtare në këtë fushë, zbatimin e kuadrit të Kombeve të Bashkuara për sjelljen e përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike, si dhe forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në kuadër të NATO-s. Palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të respektimit të së drejtës ndërkombëtare për garantimin e një hapësire kibernetike të sigurt, të qëndrueshme dhe të besueshme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua progresit të Shqipërisë për përafrimin me acquis-në dhe kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian, veçanërisht me Direktivën NIS2 në fushën e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kibernetike. Gjithashtu, u theksua rëndësia e zhvillimit të aftësive digjitale dhe e forcimit të kapaciteteve kombëtare për përballimin e kërcënimeve kibernetike ne hapësirën euro-atlantike. Në këtë kontekst, u evidentua edhe renditja e Shqipërisë në vendin e parë në botë në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI), për vitin 2026.
Dialogu riafirmoi angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Italisë për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike, përballimin e sfidave të përbashkëta dhe kontributin në ruajtjen e sigurisë të hapësirës euro-atlantike. Palët ranë dakord të vijojnë konsultimet për zhvillimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit gjatë muajve të ardhshëm, veçanërisht më kuadër të zhvillimit të kapaciteteve institucionale dhe profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira, forcimin e koordinimit institucional dhe organizimin e trajnimeve të përbashkëta.
Dialogu për Sigurinë Kibernetike përforcon partneritetin strategjik Shqipëri-Itali dhe riafirmoi angazhimin e përbashkët për sigurinë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe avancimin e një hapësire digjitale të sigurt e të qëndrueshme. Në përfundim, të dyja palët vlerësuan Dialogun si një mekanizëm të rëndësishëm për konsultimin dhe koordinimin dypalësh, duke shprehur gatishmërinë për zhvillimin e takimit të dytë në Shqipëri gjatë vitit 2027.