06/02/2026 | Press release | Distributed by Public on 06/02/2026 07:58
Bruksel - Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Els Van Hoof, Kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, ku u diskutuan mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Belgjikës.
Gjatë takimit, ministri Hoxha përcolli vlerësimin e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe, në veçanti, për mbështetjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin konstruktiv dypalësh, i cili është thelluar vazhdimisht ndër vite.
Biseda u përqendrua në rëndësinë e ruajtjes së një dialogu të fortë dhe të rregullt politik, duke përfshirë edhe zgjerimin e shkëmbimeve parlamentare, të mbështetura në angazhimin e përbashkët për një Evropë më të fortë dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete.
Ministri Hoxha theksoi se diplomacia parlamentare luan një rol të rëndësishëm në forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, mbështetjen e proceseve reformuese dhe afrimin e institucioneve dhe shoqërive të dy vendeve.
Palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi momentumin e ripërtërirë të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit. Në këtë kuadër, ministri Hoxha nënvizoi vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar avancimin e axhendës së reformave dhe për të ecur përpara me vendosmëri në negociatat e anëtarësimit në BE.
Në përfundim të takimit, ministri Hoxha shprehu mirënjohjen ndaj znj. Van Hoof për hapjen, angazhimin dhe lidershipin e saj, duke theksuar gatishmërinë e përbashkët për të thelluar më tej dialogun konstruktiv dhe për ta përkthyer atë në nisma konkrete që do të forcojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Belgjikës.