Ministry of Defence - Republic of Albania

11/14/2025 | Press release | Distributed by Public on 11/14/2025 05:56

Shqipëria dhe Italia zgjerojnë kuadrin e bashkëpunimit strategjik në fushën e Mbrojtjes

Shqipëria dhe Italia zgjerojnë kuadrin e bashkëpunimit strategjik në fushën e Mbrojtjes

e premte, 14 nëntor 2025 12:48

Shqipëria dhe Italia konkretizuan një sërë marrëveshjesh dypalëshe gjatë Samitit Ndërqeveritar të mbajtur në Villa Pamphili në Romë, duke rikonfirmuar thellësinë e partneritetit strategjik dhe angazhimin për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.

[Link]

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja Giorgia Meloni mbikëqyren nënshkrimin dhe shkëmbimin e disa marrëveshjeve në sektorë të ndryshëm, ku siguria, zhvillimi i Industrisë së Mbrojtjes dhe fuqizimi i Mbrojtjes Civile zunë një vend themelor.

I. Thellimi i bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes
Ministrat e Mbrojtjes nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes, duke zgjeruar aktivitetet e përbashkëta në trajnim, ndërveprueshmëri, siguri detare dhe gatishmëri operacionale. Gjithashtu, firmosja e marrëveshjes teknike për transferimin e dy motovedetave patrulluese italiane për Rojën Bregdetare Shqiptare forcon ndjeshëm kapacitetet e Shqipërisë për vëzhgimin e hapësirës detare si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit në detin Adriatik dhe Jon.

II. Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e Industrisë së Mbrojtjes
Konsolidimi i partneritetit strategjik në fushën e Industrisë së Mbrojtjes është një hap domethënës për krijimin e bazës industriale të mbrojtjes në vend, në përputhje me agjendën më të gjerë të industrializimit dhe aftësive teknologjike e prodhuese të vendit.
Marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruara sot nga kompania shtetërore KAYO me kompanitë italiane Leonardo dhe Fincantieri fokusohen në përdorimin e teknologjive të avancuara nga municionet tek sistemet e komandim - kontrollit, zhvillimin e kapaciteteve të mirëmbajtjes së anijeve ekzistuese të Forcës Detare dhe prodhimit të mjeteve të reja detare për tregun vendas dhe ndërkombëtar.

III. Investime në fushën e Mbrojtjes Civile
Forcimi i qëndrueshmërisë dhe kapaciteteve të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë ishte një nga shtyllat kryesore të samitit të sotëm. Nënshkrimi i dy instrumenteve financiare si: kredia 30 milion euro dedikuar për pajisje, trajnim dhe modernizim operacional dhe granti 5 milion euro, i fokusuar në reagimin e shpejtë dhe reduktimin e rrezikut, e vendosin në një nivel të ri bashkëpunimin midis vendeve tona.
Këto nisma plotësohen nga nënshkrimi i memorandumit dhe deklaratës trepalëshe midis Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Agenzia Italiana per la Cooperazione allo Sviluppo (AICS Tirana) dhe e Agjencisë italiane të Mbrojtjes Civile, për garantimin e sinergjive për projektet aktuale dhe të ardhshme të mbrojtjes dhe emergjencave civile.


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on November 14, 2025, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on November 14, 2025 at 11:56 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]