BQK - Central Bank of the Republic of Kosovo

05/12/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/12/2026 11:44

Guvernatori Ismaili pret misionin e Asistencës Teknike të FMN-së për avancimin e Stres-testit dhe Analizës së Rrezikut Sistemik

12/05/2026 | Guvernatori

Guvernatori Ismaili pret misionin e Asistencës Teknike të FMN-së për avancimin e Stres-testit dhe Analizës së Rrezikut Sistemik

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga anëtarë të menaxhmentit, priti misionin e asistencës teknike (AT) nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe FMN-së.

Misioni i FMN-së fokusohet në përmbylljen e aktiviteteve të mbetura të asistencës teknike lidhur me analizën e rrezikut sistemik dhe stres-testin, si pjesë e aktiviteteve pasuese të diagnostikimit të Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar të Kosovës. Ekipi i misionit përbëhet nga Dimitrios Laliotis, Dulani Seneviratne, Constantinos Kyriakopoulos dhe Jiri Panos. Vizita po zhvillohet nga 12 deri më 22 maj 2026.

Fillimisht Guvernatori Ismaili uroi mirëseardhje ekspertëve të FMN-së dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Fondit ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, duke riafirmuar përkushtimin e BQK-së për avancimin e kornizës së stabilitetit financiar, zbatimin e rekomandimeve të Rishikimit të mëparshëm të Stabilitetit të Sektorit Financiar të Kosovës, si dhe avancimin e mëtejmë të institucionalizimit të stres-testit si një mjet kyç për monitorimin e rrezikut sistemik dhe komponent i integruar i analizës së stabilitetit financiar. Përtej rezultateve të menjëhershme teknike, Guvernatori theksoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve dhe transferimit të njohurive profesionale.

Diskutimet u fokusuan në prioritetet kryesore teknike, përfshirë kalibrimin e skenarëve makroekonomikë për stres-testim duke përdorur qasje statistikisht të bazuara, zbatimin e një ushtrimi të plotë të stres-testimit të solvencës, avancimin e stres-testimit të likuiditetit përmes skenarëve të stresit të Treguesit të Mbulimit me Likuiditet (LCR) specifik për banka dhe fillimit të analizës së likuiditetit të bazuar në rrjedhën e parasë, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të analizës së likuiditetit në nivel të sistemit.

Nga ana tjetër, ekspertët e FMN-së vlerësuan bashkëpunimin konstruktiv të BQK-së, përkushtimin e lartë institucional dhe progresin e rëndësishëm të arritur nga ekipi në avancimin e punës teknike lidhur me analizën e rrezikut sistemik dhe stres-testin.

Projekti pritet të forcojë edhe më tej kapacitetet analitike të BQK-së, të përmirësojë cilësinë dhe kredibilitetin e kornizës së stres-testimit dhe të mbështesë një qasje më të integruar në monitorimin e rreziqeve të solvencës dhe likuiditetit në të gjithë sistemin bankar.

Gjatë misionit, ekspertët e FMN-së do të punojnë ngushtë me stafin e BQK-së përmes sesioneve praktike teknike, duke mbështetur realizimin e ushtrimeve të stres-testimit dhe identifikimin e boshllëqeve të mbetura në të dhëna, modelim dhe analizë. Gjetjet dhe rekomandimet nga ky mision do të informojnë agjendën e ardhshme të punës së BQK-së dhe do të kontribuojnë në forcimin e vazhdueshëm të kornizës së stabilitetit financiar të Kosovës, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

U kopjua
BQK - Central Bank of the Republic of Kosovo published this content on May 12, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on May 12, 2026 at 17:44 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]