12/19/2025 | Press release | Distributed by Public on 12/19/2025 05:24
Gjeneralmajor Petrit Çuni mori zyrtarisht detyrën e komandantit të Forcës Tokësore, në një ceremoni të posaçme, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant Arben Kingji si dhe drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura.
Pas dekretimit nga presidenti i Republikës, gjeneralmajor Petit Çunit iu dorëzua komanda nga gjeneralmajor Ilir Xhebexhia, i cili u vlerësua për kontributin dhe drejtimin profesional gjatë mandatit të tij në krye të Forcës Tokësore.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu theksoi se ndërrimi i komandës nuk është thjesht një akt formal, por një dëshmi e forcës së institucioneve, e vazhdimësisë së misionit dhe e seriozitetit me të cilin Shqipëria trajton sigurinë kombëtare: "Përgjegjësia kalon nga një drejtues i sprovuar te një tjetër, duke garantuar që Forca Tokësore të jetë çdo ditë më e gatshme, më profesionale dhe më e besueshme, si për sigurinë kombëtare, ashtu edhe për angazhimet në kuadër të NATO," - u shpreh ministri Vengu.
Ministri vlerësoi punën e gjeneralmajor Ilir Xhebexhias, duke nënvizuar rritjen e operacionalitetit dhe ndërveprimit me Aleancën Atlantike. Ai bëri të ditur se vetëm gjatë këtij viti mbi 500 trupa shqiptare kanë shërbyer në misione të NATO dhe BE në: Kosovë, Letoni, Bullgari dhe Bosnje-Hercegovinë, duke e dëshmuar Shqipërinë si një aleat të besueshëm me kontribute konkrete.
Ministri Vengu theksoi gjithashtu procesin e ristrukturimit të Forcës Tokësore, përfshirë krijimin e Regjimentit të Operacioneve Speciale, Regjimenteve të Këmbësorisë dhe Regjimentit të Mbështetjes me Luftim, si dhe hapat e rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës ushtarake.
Duke iu drejtuar komandantit të ri, ministri i Mbrojtjes vuri theksin te sfidat dhe prioritetet e ardhshme: "Një nga provat më të rëndësishme që na pret është përgatitja dhe vlerësimi CREVAL i Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë në vitin 2026. Ky test është mundësi për të dëshmuar gatishmërinë tonë reale për të vepruar sipas standardeve të NATO. Në të njëjtën kohë, prioritetet janë të qarta: zhvillimi i kapaciteteve kundërtanke dhe kundërajrore, përdorimi i dronëve luftarakë, forcimi i artilerisë dhe rritja e mobilitetit. Të gjitha këto nuk janë qëllime në vetvete, por mjete për të pasur një Forcë Tokësore më efektive, më të besueshme dhe më të respektuar", - theksoi ministri Vengu.
Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu angazhimin e qeverisë për rritjen progresive të pagave të personelit ushtarak, me synimin për të arritur nivelin mesatar të vendeve të NATO deri në vitin 2029.
Nga ana e tij, gjeneralmajor Petrit Çuni shprehu angazhimin për vijimin e drejtimit profesional të Forcës Tokësore, rritjen e gatishmërisë operacionale, zhvillimin e kapaciteteve dhe forcimin e ndërveprueshmërisë me strukturat e tjera të Forcave të Armatosura dhe me aleatët e NATO. Ai theksoi se drejtimi i tij do të bazohet në parimet e profesionalizmit, disiplinës, transparencës dhe llogaridhënies, duke ndjekur filozofinë e lidershipit "Lead by example".