Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

03/06/2026 | Press release | Distributed by Public on 03/06/2026 06:41

Tirana mirëpret “Zogjtë e Manastirit” – një vizitë që forcon lidhjet kulturore dhe gjuhësore me komunitetin shqiptar në rajon

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mirëpriti sot në Tiranë grupin e fëmijëve "Zogjtë e Manastirit" nga Manastiri, Maqedonia e Veriut, në kuadër të një vizite që synon të promovojë mësimin e gjuhës shqipe dhe forcimin e identitetit kulturor të komunitetit shqiptar në rajon.

Fëmijëve, të shoqëruar nga prindër dhe mësues, ju urua mirëseardhja nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD). Në takim morën pjesë, gjithashtu, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Vilma Premti, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Oriana Osmani, si dhe Ambasadori Denion Mejdani.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, fëmijët vizituan shkollën 9-vjeçare "Dora D'Istria", ku zhvilluan një aktivitet të përbashkët me rastin e 7 marsit, me nxënës dhe mësues të kësaj shkolle, me fokus shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të reja mes bashkëmoshatarëve.

Programi vijoi me një aktivitet kulturor në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe një vizitë në Teatrin e ri të Kukullave në Tiranë.
Një përfaqësi e nxënësve, mësuesve dhe prindërve zhvilloi gjithashtu një intervistë në studiot e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), ku ndanë përvojën e tyre dhe prezantuan iniciativën e Bibliotekës "Linkest", e cila mbështet aktivitetet edukative dhe kulturore të këtij grupi fëmijësh.

Vizita u përmbyll me një pritje zyrtare në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e organizuar nga Zëvendësministrja Vilma Premti dhe Zëvendësministrja Miriam Shyti, në nder të fëmijëve, prindërve dhe mësuesve që morën pjesë në këtë aktivitet.
Kjo nismë, e ndërmarrë me iniciativë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, synon të mbështesë dhe inkurajojë projekte që promovojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe identitetin kombëtar tek brezat e rinj të komunitetit shqiptar në rajon.

Grupi "Zogjtë e Manastirit" përbën një shembull të angazhimit qytetar dhe të bashkëpunimit mes prindërve, mësuesve dhe iniciativave kulturore, duke dëshmuar rëndësinë e investimit në gjuhë, kulturë dhe arsim për ruajtjen dhe zhvillimin e komunitetit shqiptar në Manastir.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on March 06, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on March 06, 2026 at 12:41 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]