10/27/2025 | Press release | Distributed by Public on 10/27/2025 07:38
Spiropali: Përfitimet nga Plani Rritjes, Shqipëria shembull në rajon për zbatimin e reformave
Spiropali: Falë reformave strukturore, Komisioni Europian disbursoi 100 milion euro për Shqipërinë
Spiropali: Për Shqipërinë zgjerimi është proces transformimi dhe meritë
****
Bruksel - Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua mëngjesin e sotëm me Komisioneren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos.
Në takimin me zyrtaren e lartë të BE u analizua ritmi i procesit të negocimit, të reformave, rezultateve dhe pritshmëritë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Ministrja thekson në një postim se në Komisionin Europian, "Shqipëria veçohet e vlerësohet si vendi ku premtimet dhe angazhimet nuk janë fjalë, por vepra, siç tregon ecuria e zbatimit të Planit të Ri të Rritjes."
"Falë reformave strukturore në fushat e konkurrueshmërisë, zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit ekonomik, energjisë dhe digjitalizimit, Komisioni Europian disbursoi së fundmi 100 milion euro për Shqipërinë në kuadër të këtij instrumenti", shkruan Spiropali.
Kos dhe Spiropali u ndalën te "Muri i Zgjerimit" në zyrën e Komisioneres ku reflektohet progresi i vendeve drejt procesit të negociatave të anëtarësimit, dhe ku Komisionerja Kos thotë se një shtet dallon për suksesin mbresëlënës, Shqipëria.
"Siç mund ta shihni këtu, një nga vendet më të suksesshme në grupin e zgjerimit është Shqipëria me pothuajse të gjithë grupkapitujt e hapur, pa një të fundit. Me ndihmën tuaj Zonja Ministre, shpresojmë se do ta ndryshojmë këtë ngjyrë (të grupkapitullit të fundit), nga e kuqe në të verdhë në muajin Nëntor".
Gjatë takimit me Spiropalin Komisionerja theksoi se "ne mirëpresim dhe mbështesim ambicien e Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda 2027".
Komisionerja Kos përgëzoi Shqipërinë për rezultatet e arrira në kuadër të Growth Planit, duke dhënë një shembull pozitiv në rajon.
Në deklaratën përpara "Murit të Zgjerimit", Spiropali tha se progresi i Shqipërisë pasqyron vokacionin e popullit shqiptar si populli më pro-BE-së në rajon dhe ndoshta në Evropë.
Ministrja Sipropali siguroi se Shqipëria e konsideron zgjerimin si një proces të bazuar në meritë dhe të nxitur nga reformat.
Ministrja siguroi se Shqipëria do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përmbushur standardet, pasi "ne e kuptojmë se ky nuk është një proces burokratik, por më tepër një proces transformues".
"Shqipëria është një vend evropian dhe ka qenë atje që nga fillimi i kohës dhe tani është gati të qëndrojë me Evropën brenda Unionit", tha Spiropali.