09/02/2026 | Press release | Distributed by Public on 09/02/2026 09:57
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi përmes një postimi në X lidhur me sulmet e fundit ruse në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës, si dhe incidentin e konfirmuar të dronit rus në Leipzig, Gjermani.
Ministri Hoxha theksoi se Rusia ka demonstruar edhe një herë se agresioni i saj kundër Ukrainës nuk ndalet. Sipas tij, sulmet masive në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase, përfshirë sulmin e drejtpërdrejtë në Universitetin Kombëtar të Teknologjive Ushqimore, janë pjesë e një fushate brutale që vazhdon të vendosë civilët në rrezik.
Ministri Hoxha nënvizoi se Evropa, dhe Shqipëria si pjesë e saj, me të drejtë kanë qëndruar që nga dita e parë në krah të Ukrainës dhe duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë.
Ai theksoi se Ukraina mbetet vija e parë e kësaj lufte, ndërsa shtrirja dhe ambiciet e Rusisë po dëshmojnë gjithnjë e më qartë se shkojnë shumë përtej Ukrainës. Sipas Ministrit Hoxha, incidenti i konfirmuar i dronit rus në Leipzig është një tjetër kujtesë e fortë se Moska po teston kufijtë e sigurisë evropiane dhe po zgjeron ndërhyrjen dhe aktivitetet e saj destabilizuese në të gjithë kontinentin.
"Kërcënimi, agresioni dhe ndërhyrja hibride nuk do ta dobësojnë vendosmërinë e Evropës. Ato duhet të kenë efektin e kundërt: një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur", u shpreh Ministri Hoxha.
Në përfundim, Ministri Hoxha theksoi se Ukraina po mbron tokën e saj, ndërsa Evropa po mbron sigurinë e saj, duke nënvizuar rëndësinë e qëndrimit të përbashkët në të dyja frontet.