Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

05/18/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/18/2026 05:37

Ministri Hoxha në Konferencën e 11-të të OSBE-së për Median në Evropën Juglindore: “Forcimi i Gazetarisë si një e Mirë Publike”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë ditën e sotme në Konferencën e 11-të të OSBE-së për Median në Evropën Juglindore, me temë "Forcimi i Gazetarisë si një e Mirë Publike", e zhvilluar në Tiranë.

Në fjalën e tij, Ministri vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të OSBE-së dhe të Zyrës së Përfaqësuesit për Lirinë e Medias në promovimin e lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në rajon dhe në hapësirën e OSBE-së.

Ministri Hoxha theksoi ndër të tjera se "Shqipëria mbetet e përkushtuar për forcimin e lirisë së medias, mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve, promovimin e pluralizmit mediatik dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane si pjesë e rrugës sonë drejt anëtarësimit në BE."

"Në një kohë kur peizazhi mediatik është bërë gjithnjë e më kompleks dhe kudo sfidues, ne do të vazhdojmë të punojmë për të nxitur një mjedis ku gazetaria e lirë, e pavarur, profesionale dhe etike mund të lulëzojë, ku liria e medias jo vetëm që mbrohet, por forcohet, dhe ripërtërihet vazhdimisht.

Në një epokë të shënuar nga dezinformimi, polarizimi dhe realitetet dixhitale që evoluojnë me shpejtësi, mbrojtja e integritetit dhe pavarësisë së gazetarisë është më e rëndësishme se kurrë. Një mjedis më i sigurt për gazetarët dhe profesionistët e medias është thelbësor jo vetëm për institucione më të forta demokratike dhe besim më të madh publik, por edhe për shoqëri më të qëndrueshme, më të informuara dhe më të shëndetshme", deklaroi Hoxha.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë shtoi se "ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin tonë me OSBE-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të çuar përpara këto parime të përbashkëta, në mbështetje të një peizazhi mediatik më të sigurt, më të lirë dhe më të qëndrueshëm në të gjithë rajonin."

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on May 18, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on May 18, 2026 at 11:37 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]