Ministry of Defence - Republic of Albania

10/08/2025 | Press release | Distributed by Public on 10/08/2025 11:19

Shqipëria mikpret Konferencën e Tretë të Mbrojtjes Kibernetike të NATO

Shqipëria mikpret Konferencën e Tretë të Mbrojtjes Kibernetike të NATO

e mërkurë, 08 tetor 2025 19:08

Në datat 9 dhe 10 tetor 2025, Tirana do të jetë mikpritëse e Konferencës së Tretë të Mbrojtjes Kibernetike të NATO, një nga aktivitetet më të rëndësishme të nivelit të lartë që trajton sfidat dhe strategjitë në fushën e Mbrojtjes Kibernetike në nivel global.

Ky aktivitet i organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me NATO sjell në Shqipëri drejtues politikë, ekspertë të lartë, përfaqësues të industrisë dhe institucioneve të sigurisë nga vendet anëtare të NATO-s dhe partnerët e saj.

Mbrojtja kibernetike është sot një komponent thelbësor i mbrojtjes kolektive të Aleancës, ndaj edhe kjo konferencë synon të nxisë shkëmbimin e njohurive, të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të zhvillojë strategji për të përballuar kërcënimet gjithnjë e më komplekse në hapësirën kibernetike.

Ndër çështjet kryesore që do të trajtohen në këtë konferencë janë: strategjitë për forcimin e mbrojtjes kibernetike të NATO, investimi strategjik dhe llogaridhënia në mbrojtjen kibernetike, kërcënimet gjeopolitike në hapësirën digjitale, roli i sektorit privat në rritjen e rezistencës kibernetike apo bashkëpunimi rajonal dhe ndërinstitucional.

Konferenca do të hapet me fjalën përshëndetëse nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, drejtori i Përgjithshëm i AKSK, një videomesazh nga sekretari i Përgjithshëm i NATO Mark Rutte dhe përfaqësues të lartë të Divizionit të Transformimit Digjital të NATO-s.

Në këtë konferencë marrin pjesë delegacione zyrtare të vendeve anëtare të NATO, ekspertë të fushës së sigurisë kibernetike, përfaqësues të industrisë së teknologjisë dhe organizatave ndërkombëtare partnere.


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on October 08, 2025, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on October 08, 2025 at 17:19 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]