Ministry of Defence - Republic of Albania

07/03/2026 | Press release | Distributed by Public on 07/03/2026 07:20

Hapet Shkolla Kombëtare e Fluturimit, ministri Nufi: Përgatisim pilotët dhe kontrollorët e së ardhmes sipas standardeve të NATO-s

Hapet Shkolla Kombëtare e Fluturimit, ministri Nufi: Përgatisim pilotët dhe kontrollorët e së ardhmes sipas standardeve të NATO-s

e premte, 03 korrik 2026 15:13

Në Komandën e Forcës Ajrore në Rinas u zhvillua sot ceremonia e hapjes së Shkollës Kombëtare të Fluturimit, një investim strategjik që shënon një etapë të re në modernizimin e Forcës Ajrore dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë.

Në ceremoni morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, drejtues të Forcave të Armatosura, partnerë ndërkombëtarë dhe 25 kandidatët e parë të shkollës.

Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi theksoi se, kjo shkollë nuk është vetëm një strukturë e re arsimimi, por një kapacitet i ri strategjik për sigurinë kombëtare.

"Ne nuk po përurojmë thjesht një strukturë të re arsimimi apo trajnimi, por po hedhim një tjetër gur themeli në fuqizimin e kapaciteteve të Forcës sonë Ajrore të së ardhmes. Po krijojmë një kapacitet të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, të lidhur drejtpërdrejt me zhvillimin e burimeve njerëzore.", theksoi ministri Nufi.

Ministri nënvizoi se Shkolla Kombëtare e Fluturimit do të përgatisë pilotë dhe kontrollorë fluturimi sipas metodologjive më të avancuara të aleatëve të NATO-s, duke kombinuar teknologjinë moderne me standardet më të larta të trajnimit.

"Në këtë kuadër, një rol të veçantë kanë edhe dy helikopterët e rinj të trajnimit, Bell 505, të cilët i janë bashkuar tashmë kapaciteteve të Forcës tonë Ajrore si platformë moderne për formimin e pilotëve të së ardhmes." - nënvizoi Ministri i Mbrojtjes.

Nufi u shpreh se investimet janë pjesë e një vizioni afatgjatë për transformimin e Forcave të Armatosura: "Investimet në infrastrukturë, teknologji dhe mbi të gjitha, në zhvillimin e burimeve njerëzore janë pjesë e një strategjie afatgjatë, që synon ta bëjë Shqipërinë një aleate më të aftë, më të besueshme në kuadër të NATO-s. Në këtë kuadër, pikërisht kjo shkollë mishëron vizionin e Qeverisë Shqiptare për modernizimin e Forcave të Armatosura, për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse".

Në kuadër të nisjes së aktivitetit të shkollës u mirëpritën edhe 25 kandidatët e parë, të cilët do të ndjekin programin e formimit për pilotë dhe kontrollorë të fluturimit.

Ndërsa Forca Ajrore do të ketë 5 pilotë të trajnuar në vit për secilin nga 5 vitet e ardhshme, si dhe personelin teknik mirëmbajtës të këtij helikopterit mësimor Bell 505.


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on July 03, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on July 03, 2026 at 13:20 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]