11/07/2026 | Press release | Distributed by Public on 11/07/2026 01:56
Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Holta Zaçaj, mori pjesë në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare mbi Skemat Rajonale të Kartave dhe Infrastrukturat e Tregut Financiar për Pagesat me Vlerë të Vogël, organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë, në Tiranë, në datat 4-5 nëntor 2026.
Në ditën e dytë të punimeve, zj. Zaçaj, si folëse në panelin e zëvendësguvernatorëve të bankave qendrore të rajonit, me temë "Pagesat e shpejta në Ballkanin Perëndimor", prezantoi arritjet dhe prioritetet e Bankës së Shqipërisë në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe integrimin me tregun evropian.
Në nisje të këtij sesioni, Zëvendësguvernatorja Zaçaj u ndal në progresin e arritur ndër vite nga Banka e Shqipërisë në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe në përafrimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian, si elemente kyçe për rritjen e përfshirjes financiare dhe integrimin evropian të vendit.
Në këtë kuadër, Zëvendësguvernatorja veçoi se një nga arritjet më të rëndësishme është anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, i cili ka ulur ndjeshëm kostot e transfertave ndërkufitare për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Ajo theksoi se një tjetër fazë e rëndësishme në modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Shqipëri është zbatimi i projektit TIPS Clone, i cili do të mundësojë kryerjen e pagesave brenda pak sekondash dhe do të shoqërohet me përfitime të rëndësishme ekonomike. Përveç përfitimeve në kryerjen e pagesave vendase, kjo infrastrukturë krijon bazën teknike për zhvillimin e pagesave të menjëhershme ndërkufitare.
Zj. Zaçaj nënvizoi se suksesi i kësaj infrastrukture do të matet me përdorimin e saj të gjerë nga qytetarët, bizneset dhe institucionet publike. Në këtë drejtim, prioritet do të jetë zhvillimi i shërbimeve të reja, si pagesat me kod QR etj. Digjitalizimi i pagesave publike dhe zgjerimi i pranimit të pagesave elektronike nga tregtarët do të kontribuojnë gjithashtu në përdorimin e tyre në jetën e përditshme dhe në uljen e përdorimit të parasë fizike.
Ndër prioritetet e mëtejshme, zj. Zaçaj përmendi uljen e kostove të pranimit të pagesave elektronike, përmes rregullimit të tarifave të shkëmbimit për pagesat me karta. Këto zhvillime synojnë të nxisin shërbime më të përshtatura për nevojat e klientëve dhe t'u japin atyre më shumë kontroll mbi përdorimin e të dhënave financiare.
Gjithashtu, zj. Zaçaj theksoi se zhvillimi i shërbimeve digjitale duhet të shoqërohet me rritjen e kulturës financiare dhe të ndërgjegjësimit të publikut, në mënyrë që këto shërbime të jenë të kuptueshme, të aksesueshme dhe të përdoren në mënyrë të sigurt nga të gjitha grupmoshat. Në veçanti, ajo nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorëve nga mashtrimet dhe forcimit të besimit në instrumentet digjitale të pagesave.
Në mbyllje të diskutimit të saj, Zëvendësguvernatorja Zaçaj theksoi se fokusi i Bankës së Shqipërisë do të jetë shndërrimi i infrastrukturës moderne në përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, duke thelluar integrimin e vendit në tregun e përbashkët evropian të pagesave. Objektivi është që ata të mund të kryejnë pagesa në të gjithë Evropën me të njëjtën shpejtësi, lehtësi dhe siguri siç i kryejnë brenda vendit.