10/01/2025 | Press release | Distributed by Public on 10/01/2025 04:21
Batalioni i Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura feston 60-vjetorin e krijimit të tij.
[Link]
Në një ceremoni solemne, ku morën pjesë personalitetet më larta, presidenti i Republikës, njëherësh komandant i Përgjithshëm i FA, Sh.T. Z. Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerallejtënant Arben Kingji, u vlerësua kontributi dhe roli i këtij batalioni.
[Link]
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu theksoi se ky përvjetor përbën një moment kulmor në historinë e njësisë, e cila ka shoqëruar Shqipërinë në të gjitha etapat e transformimit të Forcave të Armatosura dhe të shtetndërtimit, sidomos gjatë periudhës së tranzicionit.
"60-vjetori i Batalionit të Mbështetjes është një pikë veçanërisht kulmore në historinë e kësaj njësie, për vetë faktin se ajo ka shoqëruar në historinë e Shqipërisë moderne, të gjitha etapat e transformimit të FA-ve dhe dritëhijet e shtetndërtimit tonë gjatë periudhës së tranzicionit. Synojmë të rikthejmë përgjegjësinë e kësaj njësie dhe batalioni për sigurinë e kryeqytetit dhe infrastruktura kritike. Një element i dytë me rëndësi të veçantë është që ky batalion ka shërbyer dhe si shkollë komandimi në FA dhe nuk është rastësi që një pjesë e drejtuesve të FA-ve kanë dalë nga ky batalion. Është një batalion që përfaqëson tërësinë e spektrit të luftimit dhe përfaqësimit të shtetit", - u shpreh ministri Vengu.
Ministri falënderoi komandantët dhe efektivët ndër vite për profesionalizmin, përkushtimin dhe sakrificat e tyre, duke theksuar se modernizimi dhe fuqizimi i njësisë mbeten objektiv i përhershëm.
[Link]
Presidenti i Republikës dhe komandant i Përgjithshëm i FA, Sh.T. Z. Bajram Begaj, në fjalën e tij vlerësoi përkushtimin e efektivëve ushtarakë dhe personelit civil, duke e cilësuar këtë batalion si një njësi elitë të modernizuar të Forcave të Armatosura.
"Ky rrugëtim 6 dekada, ka qenë i shtruar me sakrifica. por i kurorëzuar me dinjitet. Arritjet tuaja kanë ardhur jo vetëm nga stërvitja e disiplina, por nga udhëheqje e trinomit të shenjtë: detyra-nderi-atdheu. Ky parim, ka qenë busulla morale që orientoi çdo brez ushtarak dhe mbetet themeli i krenarisë dhe besimit të FA-ve. Ashtu si ky batalion dhe FA kanë hyrë në një epokë të re, më moderne në pajisje e aftësi, më e respektuar në shoqërinë shqiptare", - u shpreh kreu i shtetit duke nënvizuar rolin e Shqipërisë në misionet ndërkombëtare të NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë ceremoni, komandanti i Batalionit, nënkolonel Orges Shuraja theksoi angazhimin e efektivëve për të vijuar me të njëjtin përkushtim. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe gjeneralë, ish-komandantë dhe pjesëtarë të trupës që kanë dhënë kontribut ndër vite.