Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

03/17/2026 | Press release | Distributed by Public on 03/17/2026 13:24

Zëvendësministrja Megi Fino merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Nismës së Evropës Qendrore (CEI)

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, mori pjesë sot në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Nismës së Evropës Qendrore (CEI).

Në fjalën e saj, znj. Fino vlerësoi Presidencën rumune, si dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë për organizimin e konferencës me rastin e 30-vjetorit të themelimit të CEI-t.

Zëvendësministrja theksoi rolin e rëndësishëm të CEI-t në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian, duke nënvizuar se përshpejtimi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është thelbësor për të ardhmen e përbashkët evropiane.

Në vijim, znj. Fino rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj agresionit të pajustifikuar të Federatës Ruse kundër Ukrainës, duke shprehur mbështetjen e plotë për përpjekjet e CEI-t në ndihmë të popullit ukrainas, si dhe angazhimin e vendit tonë për të kontribuar më tej në Fondin e Bashkëpunimit të CEI-t.

Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, Zëvendësministrja theksoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse, duke nënvizuar se ky bashkëpunim nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, ajo evidentoi rolin kyç të nismave si Procesi i Berlinit, Plani i Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028 dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe në afrimin me tregun e vetëm evropian.

Në përmbyllje, znj. Fino theksoi progresin e rëndësishëm të Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje hapjen e të gjithë kapitujve dhe përfitimin e disbursimeve të para në kuadër të Planit të Rritjes. Shqipëria mbetet e përkushtuar për përfundimin e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, bazuar në parimin e meritës dhe në zbatimin e qëndrueshëm të reformave.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on March 17, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on March 17, 2026 at 19:24 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]