Delegation of the European Union to Albania

10/23/2024 | Press release | Distributed by Public on 10/24/2024 07:21

Fjala e Ambasadorit të BE së Silvio Gonzato në Forumin e OSBE së për Zhvillimin e Medias

PRINTO

Fjala e Ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato në Forumin e OSBE-së për Zhvillimin e Medias

Urime OSBE-së për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm për herë të 10-të. Ky është bërë një takim i rëndësishëm vjetor për të vlerësuar zhvillimet në peizazhin mediatik shqiptar dhe ne jemi të lumtur të kontribuojmë në të nga perspektiva e BE-së.

Marrëdhëniet BE-Shqipëri sapo kanë arritur një nivel të ri - javën e kaluar, në Luksemburg, hapëm negociatat e anëtarësimit në BE për "themelet", që do të thotë të gjitha fushat e politikave që i konsiderojmë themelore për anëtarësimin në BE, duke përfshirë gjyqësorin, të drejtat themelore (përfshirë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias), çështjet e brendshme, funksionimin demokratik të institucioneve dhe reformën e administratës publike.

Ky është një moment kyç për rrugën e Shqipërisë në BE. Pas një procesi të suksesshëm të shqyrtimit, po hyjmë tani në pjesën thelbësore të bisedimeve të anëtarësimit. Tani pritet që Shqipëria të përmbushë angazhimet kryesore të reformës, duke përfshirë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, të cilat janë një shtyllë kyçe për çdo demokraci dhe, për rrjedhojë, në thelb të kushteve politike që vendet kandidate duhet të plotësojnë përpara se të anëtarësohen në BE.

Procesi i anëtarësimit në BE i ofron Shqipërisë një mundësi për të rritur lirinë dhe pluralizmin e medias në vend dhe për të trajtuar mangësitë në këtë fushë. Kjo do ta bëjë Shqipërinë një demokraci më të fortë dhe më elastike, sepse mediat e pavarura janë vendimtare për promovimin e qytetarisë aktive dhe pjesëmarrëse, për formimin e një opinioni publik të mirëinformuar dhe për t'i bërë ata që janë në pushtet të japin llogari.

Kjo vlen edhe për vetë BE-në. Kjo është arsyeja pse ne po përforcojmë masat dhe rregullat për lirinë e medias, veçanërisht me Aktin e ri Evropian për Lirinë e Medias, të miratuar në fillim të këtij viti. Edhe në BE kemi parë gjatë viteve të fundit forma të ndryshme të presionit ndaj mediave. Prandaj kemi vendosur rregulla të qarta në BE, veçanërisht për të mbrojtur në mënyrë efektive pavarësinë editoriale; për të parandaluar spiunimin e gazetarëve për shkak të punës së tyre; për të reduktuar rrezikun që mediat publike të shndërrohen në kanale propagandistike ose të përdoren për qëllime manipuluese; për të siguruar që reklamat shtetërore t'u shpërndahen mediave në mënyrë transparente dhe jodiskriminuese; etj.

Kjo acquis e re e BE-së plotëson standardet e rëndësishme evropiane të zhvilluara ndër vite në kuadrin e Këshillit të Evropës.

Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në BE, autoritetet shqiptare u angazhuan për një sërë veprimesh të rëndësishme në këtë fushë. Në udhërrëfyesin e saj për shtetin e së drejtës, qeveria shqiptare u angazhua për ta përshtatur kuadrin ligjor:

- për të forcuar efikasitetin dhe autonominë e rregullatorit të saj;

- për të trajtuar përqendrimin e tregut mediatik;

- për të forcuar transparencën e financimit dhe pronësinë e medias;

- për të forcuar pavarësinë e transmetuesit publik;

- për të siguruar që aspektet penale dhe civile të shpifjes të jenë plotësisht në përputhje me standardet e BE-së.

Shqipëria u angazhua gjithashtu për masa për trajtimin e çështjeve të sigurisë së gazetarëve, si dhe çështjet e të drejtave të punës së gazetarëve.

BE-ja është këtu për ta mbështetur Shqipërinë me këto përpjekje.

Është e qartë se reformat në media janë gjithmonë shumë të ndjeshme dhe duhet të përgatiten në veçanti përmes një konsultimi të gjerë dhe kuptimplotë me aktorët përkatës, përfshirë shoqërinë civile.

Kjo është arsyeja pse BE-ja mbështet idenë e një dialogu të strukturuar që përfshin autoritetet shtetërore dhe gjithë aktorët përkatës të sektorit të medias.

Më vjen mirë që profesor Mark Marku, një anëtar i vjetër dhe i respektuar i komunitetit mediatik të Shqipërisë [i cili është sot me ne], ka deklaruar gatishmërinë e tij për ta lehtësuar një dialog të tillë të strukturuar, me mbështetjen e Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës.

Së bashku me Këshillin e Evropës, BE-ja ka vendosur të bashkëpunojë me Profesor Markun dhe Departamentin e Gazetarisë në rolin e tyre lehtësues. Konkretisht, përveç mbështetjes politike të nismës, ne do të ofrojmë ekspertë të standardeve evropiane, si dhe mjete logjistike për këtë përpjekje dialogu.

Sipas mendimit tonë, ky dialog duhet të ketë si synim jo vetëm ndërtimin e besimit midis gjithë aktorëve, por në fund duhet të dalë me propozime konkrete për qeverinë dhe parlamentin se si Shqipëria mund të përmbushë angazhimet e saj në lidhje me BE-në në fushën e lirinë së medias dhe lirisë së shprehjes.

Ne e dimë mirë se ky do të jetë një ushtrim sfidues. Shumë nga çështjet në lojë janë komplekse dhe do të kërkojnë diskutime të plota, dhe përfundimisht, për disa nga çështjet, një vendim politik nga ligjvënësit. Por ne besojmë se përpjekja për këtë ia vlen dhe në çdo rast është e nevojshme nëse Shqipëria do që të bëjë përparim në përmbushjen e kërkesave të BE-së.

Nga njëra anë presim që qeveria dhe autoritetet e tjera shtetërore të angazhohen plotësisht në këtë dialog dhe ta mbështesin atë si politikisht ashtu edhe në nivel teknik. Është para së gjithash përgjegjësi e institucioneve shtetërore për të krijuar një mjedis të favorshëm për lirinë e medias, duke marrë vendime për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator.

Nga ana tjetër, ftoj të gjithë anëtarët e komunitetit të gjerë mediatik të Shqipërisë të përfshihen në këtë dialog dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive me frymën e bashkëpunimit. Unë sinqerisht shpresoj se të gjithë do të njohin mundësinë që përfaqësojnë bisedimet e anëtarësimit në BE për të bërë hapa të guximshëm drejt përforcimit të lirisë së medias dhe rrjedhimisht, një Shqipërie më të fortë.

Nuk është nevoja të thuhet se ne gjithashtu mbështetemi tek OSBE-ja për të kontribuuar në mënyrë aktive në këtë dialog, bazuar në mandatin dhe ekspertizën e saj. Kjo është diçka që kam nisur ta diskutoj tashmë me ambasadorin Tarran.

Faleminderit!