Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

02/06/2026 | Press release | Distributed by Public on 02/06/2026 02:16

Zv. Ministrja Megi Fino merr pjesë në Samitin e Tretë për Përdorimin e Përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në fushën ushtarake (REAIM 2026), 4–5 shkurt 2026, A Coruña, Spanjë

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, mori pjesë më 4-5 shkurt 2026 në Samitin e Tretë për Përdorimin e Përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në fushën ushtarake (REAIM 2026), i zhvilluar në A Coruña, Spanjë.

Ky samit përbën një nga platformat më të rëndësishme të dialogut global mbi përdorimin e përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në fushën ushtarake dhe vjen pas dy samiteve të suksesshme, të mbajtura në Hagë në vitin 2023 dhe në Seul në vitin 2024.

REAIM 2026 mblodhi së bashku mbi 60 shtete pjesëmarrëse dhe ofroi një platformë globale për shtetet, organizatat ndërkombëtare, si dhe ekspertë nga akademia, sektori privat dhe shoqëria civile, për të diskutuar mbi mënyrat e përdorimit efektiv të Inteligjencës Artificiale në fushën ushtarake, në funksion të forcimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shmangur rreziqet që burojnë nga përdorimet e papërgjegjshme apo nga dështimet e sistemeve.

Në ndërhyrjen e saj, zv. Ministrja Fino rikonfirmoi angazhimin e plotë të Shqipërisë për përdorimin e përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në fushën ushtarake, në shërbim të paqes dhe sigurisë globale. Ajo theksoi se kontrolli dhe përgjegjësia njerëzore duhet të mbeten në qendër të çdo procesi vendimmarrës, duke nënvizuar se Inteligjenca Artificiale duhet të përforcojë, dhe jo të zëvendësojë, gjykimin njerëzor në domenin ushtarak. Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Republikës së Shqipërisë 2023-2028 pasqyron vëmendjen ndaj rreziqeve që lidhen me përdorimin e papërgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale, si dhe angazhimin për një qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe të besueshme të kësaj teknologjie në të ardhmen.

Në përfundim, znj. Fino nënvizoi rëndësinë e multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht në kuadër të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar që zhvillimi dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale në fushën ushtarake të jetë në përputhje me parimet etike, ligjore dhe të sigurisë ndërkombëtare.

Bazuar në punën e kryer gjatë dy samiteve të mëparshme, REAIM 2026 synoi të shndërrojë parimet e dakorduara në masa praktike, efektive dhe të zbatueshme nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Samiti synoi gjithashtu të thellojë qasjen globale ndaj përdorimit të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet ekspertëve nga rajone dhe sektorë të ndryshëm për të adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dimensionet teknologjike, ushtarake, etike, ligjore dhe shoqërore të kësaj teknologjie.

Në përfundim, u miratua Deklarata e Samitit, së cilës iu bashkuan të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on February 06, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on February 06, 2026 at 08:16 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]