10/04/2025 | Press release | Distributed by Public on 10/04/2025 04:13
Në Bazën Ajrore të Farkës u prezantua projekti i qeverisë për një transformim të thellë të Forcës Zjarrfikëse, që hap një kapitull të ri të Mbrojtjes Civile, duke i dhënë rol qendror inovacionit në përballimin e fatkeqësive natyrore.
[Link]
Në një takim me përfaqësues të Forcave të Armatosura, Forcave Zjarrfikëse si dhe Policisë së Shtetit, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, u prezantuan hapat konkretë për forcimin e reagimit në të ardhmen.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama nënvizoi se për të gjithë qytetarët e prekur nga zjarret e kësaj vere, dëmshpërblimi do të jetë i plotë. Kryeministri lajmëroi ndryshime ligjore që do të nxisin sigurimin e shtëpive dhe bizneseve kundër fatkeqësive natyrore.
Po ashtu kryeministri Edi Rama theksoi se do të ketë edhe përforcim të legjislacionit penal për zjarrvënësit, duke paralajmëruar masa më të ashpra.
Sipas tij, në territoret ku vihet zjarr do të ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vite. Kryeministri Rama deklaroi se, zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të Forcave të Armatosura.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi se sezoni i zjarreve të kësaj vere ka nxjerrë mësime të rëndësishme për përballimin e emergjencave natyrore. Ministri Vengu theksoi se kapitulli i dedikuar për Mbrojtjen Civile nuk do të përqendrohet vetëm në luftën kundër zjarreve, por do të përfshijë një qasje të integruar për përballimin e fatkeqësive natyrore si përmbytje, tërmete dhe situata të tjera emergjente. Programi do të ndërtohet mbi tre shtylla kryesore: kapitali njerëzor, inovacioni teknologjik dhe efikasiteti financiar: "Kapitali Njerëzor është shtylla e parë. Duhet të fuqizojmë zinxhirin reagues që nga bashkia, si dhe të krijojmë qendra rajonale të emergjencave. Shtylla e dytë është Inovacioni - përdorimi i teknologjive si kamerat termike, të cilat ndihmuan ndjeshëm gjatë zjarreve në Llogara. Dhe e treta, është efiçenca e përdorimit të instrumenteve financiare që bashkitë kanë në dispozicion, qofshin fondet e kushtëzuara apo të pakushtëzuara", - u shpreh ministri.
Vengu theksoi se sistemi i menaxhimit të emergjencave duhet të rijetëzohet dhe të mbulojë të gjithë territorin e vendit për të garantuar sigurinë dhe përgjigjen e duhur në kohë reale ndaj çdo rreziku të mundshëm.
Edhe ministrat Koçiu e Demo prezantuan pasqyrën e veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse, angazhimin me burime njerëzore dhe mjetet e përdorura si dhe projektet në proces për zgjerimin e flotave operacionale dhe investime infrastrukturore.