Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

04/27/2026 | Press release | Distributed by Public on 04/27/2026 12:23

FJALA E PLOTË E MINISTRIT HOXHA DHE KRYETARIT TË LËVIZJES DEMOKRATIKE IZET MEXHITI NË KONFERENCËN PËR SHTYP

Ministri Ferit Hoxha:

Mirëdita të gjithëve! Ishte kënaqësi të kisha sot në takim të veçantë zotin Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit, zemrës së Shkupit, Kryetar gjithashtu i koalicionit "VLEN" në Maqedoninë e Veriut. Në zyrën time dhe në zyrën e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme nuk ka agjendë për t'u takuar me bashkatdhetarët tanë. Nuk ka axhendë dhe nuk ka radhë për t'u takuar me politikanët, me të zgjedhurit. Në këtë rast zoti Mexhiti është edhe politikan edhe i zgjedhur. Kjo derë është e hapur për gjithkend. Është e hapur për këdo që ka dëshirë të ndajë mendime, të bisedojë dhe të bisedojmë për ato që kemi të përbashkëta. Kemi patur një bisedë, siç janë bisedat mes shqiptarëve, të hapura, miqësore. Kemi biseduar për shumë gjëra që lidhen me situatën e popullsisë shtetformuese shqiptare në Maqedoninë e Veriut, për gjithçka që ka rëndësi për të drejtat, rolin, për vendin e shqiptarëve në arkitekturën e shtetit të Maqedonisë së Veriut. Kemi folur për nevojën për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe natyrisht ura më e mirë, më e fortë dhe më e qëndrueshme është popullsia shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të zhvilluar, të avancuar, e do të angazhuar në rrugën europiane dhe shpresoj të takohemi edhe ne edhe ata, kur të arrijmë të hyjmë në Europën e Bashkuar, në mënyrë që të bashkohemi edhe me vlerat europiane siç jemi të bashkuar në shumë interesa si vende fqinje, si vende mike, vende aleate dhe vende me të cilat na lidhin këto që përmenda më përpara.

Kryetari Izet Mexhiti:
Përshëndetje! Me shumë kënaqësi iu përgjigja ftesës së Ministrit të Punëve të Jashtme, zotit Hoxha. Si çdo herë ne kemi përgjegjësinë si udhëheqës, qeveritarë, të mbajmë përgjegjësi dhe sidomos të mbajmë lidhjet ndërshqiptare. Ne si shqiptarë të Maqedonisë edhe në Kushtetutën tonë jemi pjesë e popullit shqiptar, edhe në Kushtetutën e Shqipërisë, Shqipëria ka përkujdesje, kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Agjendat i kemi të përbashkëta, janë integrimet europiane, avancimi i çështjes shqiptare. Ne jemi afër por duhet më shpesh të takohemi edhe ndërmjet njëri-tjetrit, por edhe me opinionin për të parë realitetin. Ajo që garantoj është se Maqedonia e Veriut lëviz nën frymën e Marrëveshjes së Ohrit, që është pjesë e kushtetutës së Maqedonisë. Maqedonia e Veriut lëviz edhe drejt avancimit të çështjes shqiptare. Bashkë me Shqipërinë duhet të jemi krah për krah edhe në integrimet europiane. Pra shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë nevojë për institucionet e shtetit shqiptar dhe besoj që iniciativat janë të shumta. Siç edhe në nivel lokal patëm panairin e librit shqip, me Inva Mulën po bëjmë festivalin e ngjashëm me atë të Korçës, me Fatmir Toçin etj. Por edhe në nivel institucional besoj që kemi nevojë ta thellojmë bashkëpunimin dhe të ecim bashkë drejt këtyre proceseve.

Gazetarja, A2CNN:
Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për një shpjegim nga ju zoti Ministër. A i keni cilësuar "idiotë" shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? A ekziston ai grup WhatsApp-i me "Ambasadorët"? A i keni fshirë ju mesazhet? A keni dalë nga grupi i WhatsApp-it?

Dhe një pyetje për zotin Mexhiti:
Koalicioni "VLEN" e ka cilësuar deklaratat e Ministrit tonë të jashtëm si një skandal i rëndë politik dhe diplomatik dhe ka kërkuar që Ministri të kërkojë falje publike. A e keni diskutuar këtë çështje? A kërkoni një falje publike nga Ministri i Shqipërisë?

Ministri Ferit Hoxha:
Mund t'ju them që ju keni ngelur në javën e kaluar. Gjërat kanë evoluar. Unë i kam bërë të gjitha sqarimet e mia në lidhje me atë që është pretenduar dhe do të doja të përdorja një shprehje: "U ngrit kjo tymnajë e u pamë". Unë jam i hapur për t'u takuar në çdo kohë, në çdo rrethanë, qoftë kur biem dakord, qoftë kur kemi gjëra për të biseduar, qoftë kur nuk biem dakord, sepse edhe në familje ka mosmarrëveshje. Nuk ka absolutisht asnjëlloj interpretimi që vlen mbi atë që ne duam të kemi, duam të ndërtojmë, mbi atë që biseduam sot dhe mbi atë që do të bëjmë.

Zoti Izet Mexhiti

Edhe unë uroj që takimet të jenë më të shpeshta dhe për punë të mira.

Ministri Hoxha
Keni mbetur në javën e kaluar, janë të kapërcyera ato. Ja ku e keni kryetarin e koalicionit "VLEN", janë të kapërcyera, të kaluara, sepse nuk ka absolutisht asnjëlloj tymnaje që mund të hyjë mes nesh. Nuk ka asnjë tymnajë që mund të na zërë sytë për të parë atë që është e përbashkët. Nuk ka asnjë gjë nga ato që bëhen dhe ngrihen nga hiçi që të errësojë atë që është e përgjithshme, e nevojshme dhe e domosdoshme që ne të jemi bashkë si vëllezër e të punojmë bashkë.

Zoti Izet Mexhiti:
Ashtu siç e tha, edhe në familje, mes vëllezërve mund të ketë keqkuptime, por për atë janë takimet e drejtpërdrejta. Po sot në axhendën tonë ne kemi folur se si zhvillohet Korridori i Tetë që është projekti kryesor i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, mbi 1 miliard e gjysmë euro, që e lidh Maqedoninë fillimisht me Shqipërinë si korridor paneuropian, korridori i NATO-s. Kemi folur për gjuhën shqipe, për decentralizimin, për frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe e kam garantuar Ministrin që asnjë milimetër nuk është degraduar, në shumë sfera ka avancuar çështja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, prandaj vijmë më shpesh këtu edhe para mediave, t'i bashkëbisedojmë këto çështje, që ta ketë më të qartë edhe opinioni në Shqipëri, për realitetin në Maqedoninë e Veriut.

Ministri Ferit Hoxha:
Edhe një gjë, sepse ishte shumë e rëndësishme për mua ta diskutonim, siç e tha dhe kryetari, për të gjitha ato çështje që janë të rëndësishme, edhe për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Një nga themelet e identitetit, një nga, ajo që unë e kam quajtur ADN-ja e kombit tonë, e cila është absolutisht gjëja që duhet ta ruajmë, ta forcijmë, ta zhvillojmë dhe ta transmetojmë. Ndihem mirë që jam i siguruar nga kryetari që elementi i gjuhës është një ndër çështjet që ata e kanë në vëmendje të veçantë dhe që janë absolutisht të angazhuar, jo vetëm për ta forcuar, por për të parë se si mund të përmirësohet përdorimi i gjuhës shqipe, në një shtrirje më të gjerë nga sa është aktualisht.

Gazetari "SYRI Televizion":
z.Ministër, ju thatë që ajo çështje është tejkaluar. Ato mesazhe kanë ekzistuar dhe janë të vërteta?

Ministri Ferit Hoxha:
Absolutisht nga ato nuk ka asgjë. Nuk do të më tërhiqni aty ku doni të shkoni ju. Rrini aty, s'ka asnjë problem. Unë kam evoluar, Shqipëria është duke avancuar drejt BE-së dhe nuk do të merremi me tymnaje. Unë e kam sqaruar, e kam sqaruar edhe përmes zëdhënësit, edhe përmes intervistës sime, po e sqaroj dhe tani. Nuk ka absolutisht asnjë gjë për të cilën ia vlen të humbasim kohë, sepse kemi punë të mira për të bërë dhe na presin rezultate. Shumë faleminderit! Ishte kënaqësi t'ju kishim!

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on April 27, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on April 27, 2026 at 18:23 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]