Ministry of Defence - Republic of Albania

05/18/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/18/2026 04:53

Ministri Nufi në Bazën e Mbështetjes dhe Emergjencave Civile: Sigurojmë reagim më të shpejtë në çdo cep të vendit

Ministri Nufi në Bazën e Mbështetjes dhe Emergjencave Civile: Sigurojmë reagim më të shpejtë në çdo cep të vendit

e hënë, 18 Maj 2026 12:47

Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi vizitoi Bazën e Mbështetjes për Emergjencat Civile (BMEC), ku u takua me efektivët e Forcave të Armatosura, që angazhohen çdo ditë në ndihmë të komunitetit për përballimin e situatave të vështira emergjente me theks të veçantë te reagimi ndaj zjarreve gjatë sezonit veror.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, gjeneralë, oficerë, nënoficerë e punonjës të BMEC.

Ministri Nufi u shpreh gjatë fjalës së tij se mbetemi maksimalisht të angazhuar në forcimin e kapaciteteve për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe garantimin e një reagimi të shpejtë dhe efektiv, për të qenë pranë qytetarëve në çdo situatë emergjente.

"Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar mbledhjet e Komisioneve të Mbrojtjes Civile në të gjitha qarqet e vendit, me fokus të veçantë: masat parandaluese, identifikimin e zonave me rrezikshmëri të lartë, përditësimin e planeve të reagimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Njëkohësisht, është rritur ndjeshëm mbështetja për njësitë e vetëqeverisjes vendore, me një financim prej rreth 800 milionë lekësh për vitin 2025 dhe mbi një miliard për vitin 2026.
Sot, ju jeni të kompletuar me pajisjet më moderne për përballimin e të gjitha llojeve të operacioneve emergjente e në veçanti, të zjarreve." - tha ministri Nufi.

Ministri i Mbrojtjes, z. Nufi vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), si institucioni përgjegjës për koordinimin e sistemit të mbrojtjes civile, që angazhohet për koordinimin operacional në nivel kombëtar, si dhe bashkëpunon me partnerët ndërkombëtarë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.

Në prag të sezonit veror, ministri i Mbrojtjes, bëri apel për më shumë kujdes nga ana e qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e parandalimit dhe reagimit të shpejtë ndaj çdo rreziku.
"Një thirrje e fundit për të gjithë qytetarët e Republikës që të tregojmë përgjegjësi, kujdes dhe ndërgjegjësim në çdo veprim të përditshëm, të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet që raportojnë çdo rrezik në kohë reale. Mbrojtja civile nuk është detyrë vetëm e forcave të rreshtuara sot, po është detyrë kolektive e të gjithë qytetarëve. Së bashku, ndërtojmë më shumë siguri, së bashku garantojmë më shumë mbrojtjen e jetës dhe të vendit tonë."- u shpreh ministri Nufi.

Në përfundim të vizitës, ministri Nufi shprehu mirënjohje për trupën e BMEC, duke falënderuar efektivët për gatishmërinë, përkushtimin, sakrificën dhe besimin që përcjellin tek qytetarët shqiptarë, në çdo cep të vendit.

Në mjediset e Bazës së Mbështetjes së Emergjencave Civile, u prezantuan kapacitetet operacionale dhe logjistike në dispozicion për reagim emergjent, ndër të cilat mjete zjarrfikëse dhe mjete operacionale, pajisje personale mbrojtëse për efektivët në terren, Qendra e Lëvizshme Operacionale e Mbrojtjes Civile, dron me kamera termike për monitorimin dhe identifikimin e vatrave të zjarrit, helikopterë të pajisur me sistemin "Bambi Bucket" për ndërhyrje ajrore në rastet e zjarreve masive, etj.


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on May 18, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on May 18, 2026 at 10:53 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]