09/01/2026 | Press release | Distributed by Public on 09/01/2026 04:40
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me homologun e tij slloven, Tone Kajzer, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit #BSF26.
Gjatë takimit, ministrat diskutuan mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të ardhmen e Evropës dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe rritjes së kontakteve njerëzore mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, me synim përafrimin e tyre me nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike ndërmjet dy vendeve.
Ministri Hoxha dhe homologu i tij slloven ndanë bindjen se zgjerimi i Bashkimit Evropian është, para së gjithash, një proces i bazuar në meritë, i mbështetur në reforma, rezultate konkrete dhe besim të ndërsjellë. Në të njëjtën kohë, zgjerimi përbën një imperativ gjithnjë e më të rëndësishëm gjeopolitik dhe një investim në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
Ministri Hoxha nënvizoi përkushtimin e plotë të Shqipërisë për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të përmbushur angazhimet e saj në kuadër të procesit të integrimit evropian, me objektivin për të avancuar me vendosmëri drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.