Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

05/22/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/22/2026 11:26

Zëvëndësministrja Premti, pjesëmarrje në aktivitetin në kuadër të ditës së Gjuhës dhe Kulturës Arabe

Me rastin e Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim të UNESCO-s, pata kënaqësinë të merrja pjesë në festimin e ditës së Gjuhës dhe Kulturës Arabe dhe promovimin e përkthimit në shqip të veprës "Kultura në Kuvajt" të Dr. Khalifa Al-Wuqayyan.

Aktiviteti u organizua për të katërtin vit radhazi nga Universiteti Mesdhetar dhe Qendra Abdulaziz Saud Albabtain për Kulturën dhe Gjuhën Arabe, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të vendeve arabe, përfaqësuesve diplomatikë, studiuesve, pedagogëve dhe studentëve.

Në fjalën përshëndetëse theksova se kultura, gjuha dhe arti janë ura që afrojnë popujt përtej politikës dhe interesave të përbashkëta. Vlerësova rëndësinë e gjuhës arabe si një nga gjuhët më të lashta dhe më të pasura të qytetërimit botëror, bartëse e një trashëgimie të vyer historike, letrare dhe shkencore.

Gjithashtu, nënvizova traditën shqiptare të tolerancës dhe harmonisë fetare, si dhe ngjashmëritë me kulturën arabe dhe kuvajtiane në vlerat e mikpritjes, respektit dhe bashkëjetesës. Në një botë të përballur me tensione dhe paragjykime, dialogu kulturor mbetet një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e mirëkuptimit dhe besimit mes popujve.

Një vlerësim i veçantë i kushtova rolit të UNESCO-s në promovimin e kulturës, arsimit dhe dialogut ndërmjet qytetërimeve, si dhe diplomacisë kulturore si pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjatë aktivitetit u prezantua edhe vepra "Kultura në Kuvajt" e Dr. Khalifa Al-Wuqayyan, e cilësuar si një kontribut i rëndësishëm për njohjen e kulturës dhe trashëgimisë kuvajtiane.

Në përfundim, ritheksova angazhimin e Shqipërisë për promovimin e dialogut ndërkulturor dhe forcimin e bashkëpunimit me vendet arabe në fusha si kultura, arsimi, shkenca, turizmi dhe shkëmbimet njerëzore.

Kultura dhe fjala e mirë të vazhdojnë të shërbejnë si ura miqësie dhe mirëkuptimi ndërmjet popujve.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on May 22, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on May 22, 2026 at 17:26 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]