12/15/2025 | Press release | Distributed by Public on 12/15/2025 06:26
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Miriam Shyti, mori pjesë në Forumin e 11-të Global të Aleancës së Kombeve të Bashkuara për Qytetërimet (UNAOC), i cili po zhvillohet në Riad, Mbretëria e Arabisë Saudite, më 14-15 dhjetor 2025, me rastin e 20-vjetorit të krijimit të UNAOC.
Forumi, i organizuar nga Mbretëria e Arabisë Saudite nën temën "UNAOC: Dy Dekada Dialogu për Njerëzimin - Avancimi i një Epoke të Respektit dhe Mirëkuptimit të Ndërsjellë në një Botë Multipolare", mblodhi udhëheqës të nivelit të lartë politik, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, liderë fetarë dhe aktorë nga shoqëria civile, akademia, rinia dhe media. Ceremonia Zyrtare e Hapjes u nderua nga pjesëmarrja e Princit Faisal bin Farhan Al Saud, Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë Saudite, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres, si dhe Përfaqësuesit të Lartë të UNAOC, Miguel Ángel Moratinos.
Në ndërhyrjen e saj, Zëvendësministrja Shyti riafirmoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar, duke theksuar se bashkëjetesa harmonike mes komuniteteve të ndryshme fetare është pjesë thelbësore e identitetit dhe përvojës historike shqiptare, e rrënjosur në vlerën e Besës. Ajo theksoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë kundër islamofobisë, antisemitizmit, ndjenjave antikristiane dhe çdo forme urrejtjeje dhe diskriminimi fetar, si dhe rëndësinë e investimit afatgjatë në arsim, rini, gra dhe hapësira kulturore e dixhitale gjithëpërfshirëse, si elementë kyç për parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme.
Angazhimi i Shqipërisë si një partner aktiv i UNAOC-së, si dhe kontributi i saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Këshillin e të Drejtave të Njeriut, dëshmojnë vullnetin e vendit tonë për të qenë një promotor i bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe mirëkuptimit ndërkulturor e ndërfetar në nivel global.