09/16/2025 | Press release | Distributed by Public on 09/16/2025 07:24
Nga data 16 deri më 18 shtator 2025, Tirana do të jetë mikpritëse e Konferencës së 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut (A-5).
Konferenca do të bashkëkryesohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Bosnje-Hercegovinës, gjenerallejtënant Gojko Knežević, si dhe komandanti i Komandës Amerikane në Evropë, gjeneral Alexus G. Grynkewich.
Fokusi i punimeve do të jetë forcimi i rolit të vendeve të Kartës së Adriatikut si dhe krijimi i hapësirave të reja për thellimin e bashkëpunimit ushtarak rajonal, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë gjithashtu për përmbushjen e objektivave të Aleancës dhe procesin e planifikimit e rishikimit të NATO-s për vendet partnere.
Në kuadër të këtij aktiviteti do të zhvillohet edhe Konferenca e Nënoficerëve të Shefave të Shtabeve të Përgjithshëm të vendeve të A-5, me pjesëmarrjen e Komandës Amerikane për Evropën, vendeve vëzhguese dhe Gardave Kombëtare të SHBA.
Takimi do të mbledhë përfaqësuesit e vendeve nënshkruese të Kartës së Adriatikut (SHBA, Shqipëria, Bosnje - Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut), si dhe vendet me status vëzhgues, ku këtë vit kanë konfirmuar pjesëmarrjen Kosova dhe Sllovenia. Në konferencë do të marrë pjesë edhe zëvendëskomandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli si dhe përfaqësues nga shtetet partnere të Gardave Kombëtare të SHBA (New Jersey, Maryland, Minnesota, Vermont, Maine) dhe shtetet vëzhguese të Programit të Partneritetit Shtetëror (Ohio, Colorado, Iowa).
Ky forum do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për të analizuar arritjet e deritanishme të A-5, për të mbështetur vendet aspirante dhe për të identifikuar fushat e reja të bashkëpunimit ushtarak. Gjatë punimeve pritet të zhvillohen gjithashtu takime të shumta dypalëshe mes përfaqësuesve të lartë ushtarakë të vendeve pjesëmarrëse.