Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

10/09/2025 | Press release | Distributed by Public on 10/09/2025 08:26

Ministeriali i Procesit të Berlinit, Ministrja Spiropali: Ballkani Perëndimor nuk është barrë, por potencial i pashfrytëzuar i Evropës

9 Tetor 2025 - Përgjatë Ministerialit të Procesit të Berlinit të zhvilluar në Belfast të Irlandës së Veriut, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali mbajti fjalë përgjatë darkës së mirëseardhjes dhe në dy seancat e sotme plenare që lidheshin me sigurinë evropiane dhe pajtimin.

Mesazhet kryesore të Ministres Spiropali u fokusuan tek rëndësia e shfrytëzimit të mekanizmave të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor- përfshirë Planin e Rritjes; forcimin e ekonomive; sundimin e ligjit; qëndrueshmërinë dhe fuqizimin e të rinjve - për të cilat Shqipëria qëndron si lidere e padikutueshme në rajon dhe mbi të gjitha si faktor stabiliteti.

"Sfida si paqëndrueshmëria politike në Bosnjë-Hercegovinë, dialogu Kosovë-Serbi, agjenda destabilizuese e aktorëve të jashtëm, pranimi i përgjegjësive historike - si gjenocidi i Srebrenicës - dhe refuzimi i revizionizmit, duhen përballuar me udhëheqje vizionare për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe për të përmbyllur rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE." - u shpreh Ministrja Spiropali përgjatë darkës së mirësardhjes të këtij ministeriali.

Gjatë fjalës së sotme në sesionin qendror të Ministerialit të Procesit të Berlinit, Ministrja Spiropali theksoi se Ballkani Perëndimor nuk është një barrë mbi supet e Evropës, por një fuqi e pashfrytëzuar që pret të zgjohet.

"Shqipëria është dëshmia se ndryshimi i vërtetë nuk imponohet nga jashtë - ai lind nga brenda, kur udhëheqja ka vizion, kur reformat janë të guximshme dhe kur besimi bëhet shtylla e çdo transformimi." - deklaroi ajo.

Në këtë sesion që lidhej me sigurinë evropiane, Spiropali theksoi gjithashtu se: "Shqipëria qëndron fort përkrah BE-së dhe NATO-s, në mbrojtje të paqes, demokracisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Megjithatë, e ardhmja jonë nuk mbështetet vetëm në politikë, por edhe në gjallërinë ekonomike dhe ndërlidhjen rajonale."

Ndërkohë, përgjatë sesionit tjetër që lidhej me pajtimin rajonal, Ministrja Spiropali u ndal tek rëndësia që vendi ynë i kushton atij:

"Për Shqipërinë, pajtimi rajonal nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një detyrim moral dhe një strategji për paqe e përparim. Sepse pajtimi i vërtetë nuk shkruhet në letër, ai ndërtohet në zemra. Ai kërkon guxim për t'u përballur me hijet e së shkuarës, dhembshuri për të nderuar kujtesën e viktimave, e mbi të gjitha, vizion për të ndërtuar një të ardhme ku ndryshimet nuk ngjallin frikë, por frymëzojnë bashkëjetesë." - u shpreh Ministrja Spiropali.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on October 09, 2025, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on October 09, 2025 at 14:26 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]