09/20/2025 | Press release | Distributed by Public on 09/20/2025 05:33
Tiranë, 19 Shtator 2025 - Pas betimit në Presidencë, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Znj. Elisa Spiropali ka marrë zyrtarisht detyrën nga z. Igli Hasani në mjediset e MEPJ.
Spiropali dhe Hasani zhvilluan sëbashku takimin e parë prezantues me stafin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Përmes rrjeteve të saj sociale, Ministrja Spiropali deklaroi:
"E nderuar të marr detyrën nga miku dhe kolegu Igli Hasani, përvoja dhe ekspertiza e të cilit do të jenë një vlerë e shtuar në Komisionin Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme. E bindur që edhe me angazhimin e tij si Kryetar i Komisionit do të çojmë bashkërisht përpara, objektivin strategjik të shtetit shqiptar për Shqipërinë Europiane".
Ndërkohë, z. Hasani, i mandatuar si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe njëherësh Kryetar i Komisionit Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme, theksoi:
"Kam besim se reformat dhe proceset që kemi nisur dhe çuar përpara me stafin e Ministrisë gjatë dy viteve të fundit do të vazhdojnë të jenë prioritet edhe nën drejtimin e ri: finalizimi i Ligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm, tashmë i përfunduar e që së shpejti do të paraqitet në Kuvend; konsolidimi i strukturës së re të Ministrisë; përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve konsullore për qytetarët tanë jashtë vendit; zbatimi dhe forcimi i standardeve të emërimeve mbi bazën e meritës dhe profesionalizmit; rritja e përfaqësimit të grave në diplomaci; hapja dhe forcimi i përfaqësive të reja në vende strategjike; fuqizimi i pasaportës shqiptare; si edhe zbatimi i një qasjeje më të thjeshtuar dhe efektive në punën e MPJ-së."