05/04/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/04/2026 06:05
Doja ta vendosja në kontekst këtë artikull të publikuar. Procesi i zgjerimit të BE-së dhe e ardhmja evropiane e rajonit ka qenë dhe vazhdon të jenë objekt diskutimesh të shumta, në të gjitha nivelet, gjerësisht në Evropë. Sikurse e dimë, që prej vitit 2013, kur BE-ja u zgjerua për herë të fundit, çështja e anëtarësimeve të reja nuk ka qenë as përparësi dhe as në qendër të agjendës së saj.
Në kushtet e reja, në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më sfidues, zgjerimi shihet tashmë si një mjet për forcimin e stabilitetit, për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe për rritjen e peshës globale të BE-së, si një instrument kyç për ndërtimin e një Evrope më të bashkuar, më të qëndrueshme dhe më të aftë për t'u përballur me sfidat e së ardhmes.
Kjo qasje ka nxitur një valë të gjerë diskutimesh në nivel evropian dhe rajonal, duke sjellë ide të ndryshme. Nga modelet e integrimit gradual, tek anëtarësimi i diferencuar apo fazat ndërmjetëse të përfshirjes në politika dhe tregje të përbashkëta, debati reflekton një përpjekje serioze për të gjetur një ekuilibër mes, nga njëra anë, nevojës për zgjerim dhe, nga ana tjetër, kapacitetit të vetë BE-së për t'u reformuar për të qenë eficiente. Prandaj, kjo është një çështje e gjallë dhe strategjike në agjendën evropiane që kërkon kreativitet, fleksibilitet dhe vizion afatgjatë.
Pikërisht në këtë kontekst duhet parë artikulli i publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung - një qasje që zgjoi vëmendje, por që kërkon një lexim të qetë e racional.
Në mënyrë të përmbledhur, ndryshe nga sa është thënë e shkruar, ky artikull nuk sfidon aspak objektivin strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Përkundrazi, për këdo që e ka lexuar me vëmendje, ai synon ta bëjë këtë rrugë më të prekshme, më funksionale dhe më të besueshme, si për vendet aspirante, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian.
Le t'i marrim gjërat me radhë:
Së pari, të jemi të qartë: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është dhe mbetet i panegociueshëm. Ai nuk është një opsion, por objektivi ynë strategjik kombëtar. Në artikull nuk bëhet fjalë për heqje dorë nga ky synim, as për relativizimin e tij, e aq më pak për zëvendësimin e rrugës që po ndjekim.
Aty propozohej një rrugë e përshpejtuar dhe më fleksibël, që lejon afrimin gradual me strukturat kryesore të Bashkimit Evropian, para anëtarësimit, veçanërisht në fushat ekonomike, të tregut të brendshëm dhe lëvizshmërisë, ndërkohë që vendi ndjek procesin normal klasik të anëtarësimit në BE. Kjo është e artikuluar qartë në tekst.
Pse një qasje e tillë? Sepse realiteti evropian ka ndryshuar. Vetë Bashkimi Evropian është në kërkim të reformave të brendshme, në vendimmarrje, në politikat e zgjerimit, në menaxhimin e krizave dhe sfidave globale. Dikur, zgjerimi ishte një proces linear, i parashikueshëm dhe relativisht i shpejtë. Sot, ai është më kompleks, më kërkues dhe më sfidues. Vetë BE-ja përballet me sfida dhe kundërshti të ndryshme, të cilat nuk mund t'i injorojmë ndërkohë që synojmë anëtarësimin.
Nga ana tjetër, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një pritshmëri legjitime për të mos mbetur në një "zonë pritjeje" të pafundme. Kjo krijon një boshllëk që duhet adresuar: si të ruhet dinamika e reformave dhe besimi i qytetarëve, pa pritur përfundimin e të gjitha proceseve të brendshme të BE-së? Pikërisht këtu hyn ideja e një integrimi të përshpejtuar.
Çfarë nënkupton konkretisht kjo? Ajo nënkupton që vendet aspirante të përfitojnë më herët, para anëtarësimit formal, nga disa prej avantazheve kyçe të anëtarësimit:
Nëse BE-ja adopton një qasje të tillë, nga vendet përfituese do të adoptohej një fleksibilitet i përkohshëm, për një periudhë të kufizuar dhe të mirëpërcaktuar, në ushtrimin e disa të drejtave të plota, të cilat burojnë natyrshëm vetëm me anëtarësimin e plotë. Por është thelbësore të kuptohet se kjo nuk përbën kurrsesi heqje dorë nga këto të drejta; përkundrazi, është një fazë tranzitore që synon përshpejtimin e arritjes së tyre. Në këtë kuptim, fleksibiliteti nuk është dobësi, por inteligjencë politike dhe strategjike.
Çfarë do të përfitonte Shqipëria dhe rajoni nga kjo qasje?
Së pari, ruhet dhe forcohet besueshmëria e procesit të integrimit. Qytetarët shohin rezultate konkrete dhe jo vetëm procese të cilat, siç e dimë, marrin kohë, madje shpeshherë shumë kohë. Vizat, SEPA, së shpejti Roaming, dhe Plani i Rritjes - këto janë përfitime reale, jo rezoluta e deklarata.
Së dyti, përshpejtohet konvergjenca ekonomike me Bashkimin Evropian, duke krijuar më shumë mundësi për investime, lëvizshmëri, punësim dhe zhvillim.
Së treti, rritet bashkëpunimi dhe stabiliteti rajonal. Një rajon më i integruar ekonomikisht me BE-në është një rajon më i ndërlidhur dhe më pak i ekspozuar ndaj tensioneve dhe ndikimeve destabilizuese.
Tani të dalim te pyetja e madhe: pse Presidenti i Serbisë? Fakti që ky opinion është firmosur së bashku me të nuk duhet dhe nuk mund të interpretohet si tregues i ndonjë aleance të veçantë apo, aq më pak, i ndonjë projekti kundër ndikujt, as në rajon e as jashtë tij. Është veçse një artikull: as aleancë e as projekt.
Përkundrazi, ai dëshmon se vendet e rajonit, pavarësisht dallimeve shpesh të thella (siç janë ato që kemi me Serbinë, në mënyrë të veçantë në papajtueshmërinë e skajshme lidhur me Kosovën), janë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët kur interesat strategjike përkojnë. Integrimi evropian është një nga këto interesa madhore që kërkon bashkëpunim, dialog dhe pragmatizëm.
Shumë është shkruar e thënë se ato dy faqe artikull i paskëshin bërë dëm Kosovës. Kjo është absolutisht e pabazë.
Asgjë në atë artikull apo në asnjë aspekt të marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë nuk zbeh, në asnjë mënyrë, qëndrimet e qarta dhe të palëkundura të Shqipërisë për Kosovën dhe nuk besoj se ka nevojë të riartikulohen këtu, apo për çështje të tjera të rëndësishme rajonale. Përkundrazi, tregon pjekuri politike dhe përgjegjësi në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Por, nga ana tjetër, thuajse askush nuk u thellua sa duhet për të parë më tej: sipas artikullit, integrimi më i hershëm në tregun e përbashkët evropian dhe në hapësirën Schengen do të përfitohej nga të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, në një qasje gjithëpërfshirëse. Dhe nëse ka ndonjë vend në rajonin tonë që ka nevojë për një qasje të tillë, ky është pikërisht Kosova.
Ku është dëmi këtu? Askund, përkundrazi.
Në këtë kontekst, "Op-Ed" ishte një thirrje për Bashkimin Evropian që të mendojë në mënyrë më strategjike për Ballkanin Perëndimor, të mos e lërë rajonin në një zonë gri gjeopolitike dhe të kuptojë se vakumi krijon hapësirë për destabilizim dhe stagnim.
Së fundmi, diplomacia nuk është asnjëherë një lojë me shumatorë zero. Paqja, pajtimi dhe bashkëpunimi me fqinjët, pa harruar kurrë të kaluarën, por duke u udhëhequr nga e ardhmja, janë shenjë pjekurie dhe kusht që Evropa të na marrë seriozisht.
Bota po ndryshon me shpejtësi. Gjeopolitika nuk pret. Arkitektura e sigurisë evropiane është nën presionin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Lufta është rikthyer në kontinent dhe konkurrenca gjeopolitike është më e fortë dhe më e paparashikueshme se kurrë. Nëse nuk krijojmë modele të reja bashkëpunimi që e bëjnë rajonin tonë të domosdoshëm për BE-në, rrezikojmë të mbetemi në periferi.
Duke përfunduar, dua të them se anëtarësimi i plotë në BE mbetet qëllimi ynë i panegociueshëm. Por rruga drejt tij mund, nëse është e nevojshme, të jetë më inteligjente, më fleksibël dhe më e dobishme për qytetarët tanë sot, jo vetëm nesër.
Në fund të ditës, rëndësi ka jo vetëm kur arrijmë në destinacion, por edhe çfarë përfitojmë gjatë rrugës për të arritur atje.
Faleminderit.