08/25/2026 | Press release | Distributed by Public on 08/25/2026 08:26
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka përcaktuar prioritetet e diplomacisë shqiptare për pjesën e mbetur të vitit, duke vënë në fokus procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe reformimin e Shërbimit të Jashtëm.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë Seminarit të Qeverisë në Pogradec u analizuan në detaje prioritetet e vendit, përfshirë edhe ato në fushën e politikës së jashtme.
Sipas ministrit, vijimi i suksesshëm i procesit të anëtarësimit në BE mbetet objektivi kryesor i Shqipërisë dhe kërkon ritëm të shtuar, fokus të qartë dhe angazhim të plotë diplomatik.
Një tjetër prioritet do të jetë forcimi i bashkëpunimit rajonal, me synim një Ballkan Perëndimor më të stabilizuar, më të ndërlidhur dhe më pranë Bashkimit Evropian.
Ministri Hoxha ka nënvizuar gjithashtu nevojën për modernizimin dhe thjeshtëzimin e mëtejshëm të shërbimeve konsullore, në mënyrë që ato të jenë më të shpejta, më të aksesueshme dhe më të orientuara drejt qytetarëve.
Në fokus të veçantë do të jetë edhe vijimi i reformimit të Shërbimit të Jashtëm. Sipas Hoxhës, synimi është ndërtimi i një diplomacie moderne, profesionale dhe meritokratike, me një korpus diplomatik të aftë për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë, për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të krijuar më shumë vlerë për vendin.
Në këtë drejtim, ministri ka renditur si prioritete rritjen e ndikimit në imazhin dhe promovimin kulturor e shoqëror të Shqipërisë, forcimin e lidhjeve me ekonominë dhe tregtinë, krijimin e partneriteteve dhe mundësive të reja, si dhe arritjen e rezultateve konkrete për vendin dhe qytetarët shqiptarë.
"Një Shqipëri europiane kërkon edhe një diplomaci europiane", është mesazhi me të cilin Ministri Hoxha ka përmbledhur vizionin për diplomacinë shqiptare në vijim.